Nga Tirana në Vlorë për të shitur mina me telekomandë, gjykata jep masën për dy të rinjtë

Dy të rinjtë, Bledar Ukshini dhe Ardit Qamluku që u arrestuan nga Policia e Vlorës paraditen e së mërkurës teksa po shisnin mina me telekomandë, dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal me bazë në Tiranë.

Sipas të dhënave, mësohet se grupi hetimor ka zbuluar se dy të rinjtë nga Puka, i morën minat në Tiranë, e më pas po udhëtonin në Vlorë, atje ku do i shisnin tek një tjetër grup kriminal. Këto mina do i shisnin për vlerën e 10 mijë eurove.

Gjyqtarja Lirza Sinollari ka vendosur për të dy këta persona masën e sigurisë ‘arrest me burg’ teksa i shpallur në kërkim edhe një tjetër person i cilësuar si porositësi.

Hetimet vijojnë edhe për palët të cilat i dërguan minat nga Tirana në drejtim të Vlorës me dy të rinjtë. Të dy këta persona u arrestuan në një lokal pranë zonës së gjyqit të vjetër në Vlorë.

Vendi ku do kryhej shkëmbimi fillimisht ishte lënë në qendër të Vlorës, por dyshimi se do të pikaseshin nga Policia detyroi Bledar Ukshinin dhe Ardit Qamlukun të ndryshojnë zonën e takimit. Edhe pse tentuan që të ishin të kujdesshëm, të rinjtë nuk i shpëtuan dot arrestimit, por u prangosën në një bar kafe teksa prisnin të mbërrinte blerësi.

Edhe pse ndërhynë para se ai të shkonte në lokal për të marrë minat, sërish është arritur që të identifikohet nga Policia dhe është shpallur në kërkim. Atë ditë ishte dërguar me porosi për të marrë “pakon”, pasi dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal që vepron në qytetin e Vlorës.

Edhe pse në pranga, dy të arrestuarit kanë refuzuar të japin shpjegime se ku e kishin marrë dhe kujt do t’ja jepnin minat. Megjithatë dyshohet se edhe në të shkuarën kanë bërë të njëjtën “tregëti”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *