Nga truri te veshkat/ Çfarë i shkakton trupit të njeriut i nxehti përvëlues

Me rritjen e temperaturave, kujdesi ndaj shëndetit dhe nevoja për të qëndruar sa më të freskët janë gjithnjë e më urgjente.

Në këtë periudhë të vitit rekomandimet e mjekëve janë të qëndroni larg të nxehtit përvëlues të verës.

E teksa termometri shënon rritje dita ditës duke kaluar 35 gradë celsius, përveç djersitjes trupi mund të vuajë edhe nga disa simptoma të tjera.

Cilat janë sëmundjet që shkakton i nxehti

Sëmundjet e shkaktuara nga i nxehti shfaqen kur trupi nuk është në gjendje të kryejë procesin e vetë-ftohjes.

Zakonisht trupi i njeriut ftohet me anë të djersitjes dhe qarkullimit të gjakut.

Gjithsesi kur temperaturat janë shumë të larta, as ky proces nuk është i mjaftueshëm.

Kështu trupi mund të zhvillojë gjendje të ndryshme të cilat kthehen në sëmundje.

Këtu përmendim që nga djegiet e lëkurës, deri tek hipertermia apo siç quhen ndryshe goditjet nga i nxehti.

Nëse me rritjen e temperaturave keni vënë re se ju dhembin muskujt apo keni kriza të vazhdueshme të gjymtyrëve, arsyeja mund të jetë vapa e madhe.

Gjithashtu i nxehti ndikon shumë keq edhe tek personat që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare.

Pasi vështirësojnë qarkullimin e gjakut duke e ngadalësuar apo përshpejtuar atë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit temperaturat e larta mund të bëhen shkak për përkeqësimin e sëmundjeve të veshkave, trurit dhe atyre të frymëmarrjes.

Ndikimi i temperaturave në shëndet mund të jetë vdekjeprurës, sidomos nëse vuani nga sëmundje kronike.

Pasi i nxehti ka tendencë të bllokojë dhe ngadalësojë shumë procese normale të organizmit, duke u kthyer në një rrezik për jetën.

Kush janë më të rrezikuarit

Ekspertët thonë se çdo njeri mund të jetë i rrezikuar nga sëmundjet e mësipërme nëse ekspozimi në diell është shumë i madh.

Gjithsesi më delikatë gjatë verës ndaj këtyre problemeve janë një grup i caktuar njerëzish.

Të moshuarit, kryesisht sipër moshës 65 vjeç nuk këshillohet të qëndrojë jashtë gjatë ditëve të nxehta.

Të porsalindurit, lehonat dhe gratë shtatzënë gjithashtu janë të rrezikuar nga temperaturat e larta të verës.

Mjekët theksojë se personat që vuajnë nga sëmundje kronike ku futen ato kardiovaskulare, diabeti apo sëmundjet e frymëmarrjes për shkak se gjatë kësaj kohe marrin medikamente të forta janë gjithashtu një grup në rrezik.

Çfarë të bëni nëse sëmureni nga i nxehti

Ndihma e parë që mund t’i jepni vetes dhe të tjerëve në këtë rast është të lëvizni në një vend më të freskët dhe të errët.

Përpiquni të ftohni kyçet e gjymtyrëve dhe të konsumoni ujë të freskët.

Në këtë mënyrë trupi do të rregullojë temperaturën e brendshme të tij.

Nëse jeni në shtëpi mjekët këshillojnë që të bëni një dush me ujë të freskët.

Evitoni daljen nga shtëpia gjatë orëve kur dielli është shumë i nxehtë dhe evitoni pijet alkoolike apo kafen.

Është e rëndësishme që të jeni të kujdesshëm me simptomat, nëse ndjeni se po përkeqësohen njoftoni menjëherë një mjek.

/Marrë nga AgroWeb.org/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *