Viktima e një sulmi seksual ishte alpinistja nga Kosova, Mrika Nikiqi, e cila publikoi pamjet në çastin kur po dhunohej nga Flori Beqiraj. Ky i fundit është arrestuar për këtë ngjarje dhe i ka kërkuar falje Nikiqit duke thënë se ishte i dehur në momentin kur ka e sulmuar.
Në vendimin e gjykatës thuhet se Beqiraj, i ka kërkuar falje Mrika Nikiqit dhe familjes së saj, pasi babai i të dyshuarit ka pasur raporte pune me familjen e alpinistes. Ai ka pranuar fajin se ka sulmuar seksualisht alpinisten, ndërsa ka thënë se ka qenë nën efektin e alkoolit.
Në vendim thuhet se avokati i Flori Beqirajt i ka kërkuar gjykatës që atij t’i caktohet masa e “Arrestit shtëpiak”.
“Gjendja e tij ka qenë nën ndikimin e alkoolit, sipas tij tregon se sjelljet që i ka pasur gjatë kryerjes nuk janë të tij, ka qenë në gjendje që edhe vetë i pandehuri nuk mund të shpjegojë duke marrë parasysh këto rrethana nuk mendoj që ka rrezik të arratisjes dhe as të kryerjes së ndonjë vepre tjetër penale. I propozoj gjykatës që të pandehurit t’i shqiptohen njëra nga masat alternative të cilat janë adekuate për të pandehurin, konkretisht propozoj masën e arrestit shtëpiak”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Kujtojmë se ditën e djeshme, alpinistja kosovare Mrika Nikiqi ka bërë publike një video ku tregon se kishte rënë pre e një sulmi seksual. Në pamjet e publikuara shihet qartë kur Flori Beqiraj ndjek alpinisten, e kap nga pas dhe tenton të puthë me dhunë.