“Ngrohja globale, një prej 7 mashtrimeve”, Trump: As Joe `gjumashi` nuk ishte i interesuar

Ish-presidenti Donald Trump ironizoi presidentin Joe Biden për dremitjen përpara fjalimit që do të mbante në Konferencën e OKB për Ndryshimet e Klimës që po mbahet në Glasgow.

“As Biden nuk mund të duronte më të dëgjonte për mashtrimin e Ngrohjes Globale, një prej 7 mashtrimeve të mëdha në Amerikë”, deklaroi Trump pasi pa pamjet e Biden ndërsa flinte në samit.

“Ky mashtrim, ndiqet nga pas nga mashtrimet elektorale të zgjedhjeve presidenciale 2020, Rusia, Rusia, Rusia, Ukraina, Ukraina, Ukraina, Impeachment 1, Impeachement 2 dhe gjetjet e raportit Mueller”.

“Biden shkoi në Europë për të thënë që ngrohja globale është prioriteti i tij kryesor dhe papritmas e zuri gjumi në mes të konferencës, ku e panë të gjithë. Askush që është entuziast dhe beson në një çështje nuk mund ta zërë gjumi”, u shpreh ish presidenti.

Komentet e Trump erdhën pasi ekipi politik njoftoi se ai po mbante një tubim virtual në prag të zgjedhjeve për guvernator të Virxhinias.

Ndërkaq, Joe Biden në fjalimin e tij u kërkoi falje liderëve botërorë për vendimin e daljes së  SHBA-në nga marrëveshja e Parisit për klimën e marrë nga paraardhësi i tij Donald Trump.

“Kërkoj falje për faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dolën nga marrëveshja e Parisit, duke na vënë në një situatë të vështirë”, theksoi Biden.

Kujtojmë se SHBA dolën zyrtarisht nga Marrëveshja e Parisit, në nëntor të vitit 2020 duke u bërë vendi i vetëm ndotës në botë që braktiste paktin historik të arritur për të luftuar ndryshimet klimatike.

Tërheqja e SHBA-së u iniciua zyrtarisht nga presidenti Donald Trump me një letër, megjithëse ai e kishte njoftuar vendimin në qershor të vitit 2017.

Trump kishte theksuar se marrëveshja siguronte disavantazhe për SHBA-në për përfitimet e vendeve të tjera dhe se ajo kishte një ndikim negativ në punëtorët amerikanë, vendet e punës, pagat dhe ekonominë e përgjithshme.

Rreth 195 shtete hartuan Marrëveshjen e Parisit për Klimën në vitin 2015 me synimin për të kufizuar rritjen e ngrohjes globale në 1,5 gradë Celsius dhe për të mbajtur rritjen e temperaturës globale nën 2 gradë Celsius në krahasim me nivelet paraindustriale.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *