Nga: Entela Resuli
Shpesh na ndodh që t’i ëndërrojmë për të mbathur një palë këpucë “Guçi” apo “Ferragamo” dhe na duken shumë të largëta për shkak të çmimit të kripur që ato kanë. Por shumë prej nesh nuk e dinë që ato këpucë mund të prodhohen në Laç, në Kamëz, apo edhe në… Vlorë, nga kompania AlbaShoes.
Po, po kjo kompani 100 për qind shqiptare shpesh lidh kontrata me firma prestigjioze në botë për të qepur këpucët e tyre, modelet e të cilave vijnë nga vendet e origjinës!
Pronari i saj, i cili e ka themeluar dhe e drejton prej 28 vitesh është Nikolin Lleshi, një djalë nga Laçi që rrugën e biznesit e ka nisur qysh kur Shqipëria ndërroi faqe, në vitin 1991.
Fillimet ishin të vështira dhe të brishta, por dëshira për të qenë një lider në prodhimin e këpucëve e bëri atë që të mos ndalonte në këtë rrugëtim të cilin vetëm ai që “vesh këpucët e tij” e kupton.
Kompania “AlbaShoes”, sot faturon 30 milionë euro dhe arrin të qep 3 milionë këpucë në vit!
Sigurisht që nuk ka nisur kështu, por shifrat tregojnë suksesin se ku ka mbërritur kjo kompani e cila themelet i ka në Shqipëri, ndërsa eksporton këpucë në të gjithë Europën.
Si nisi…
Pavarësisht se kur ka fjetur, zgjimi herët në mëngjes është një ritual i përditshëm për Nikolin Lleshin, njeriun e këpucëve të punës në Shqipëri.
“Për mua zgjimi herët është fillim i mbarë për ditën. Kështu ka qenë gjithmonë, plus nuk do kisha sukses nëse do zgjohesha në 12 të drekës, pasi punët e mira bëhen qysh herët “- tregon Nikolin, duke shpjeguar ritmin e tij të ditës.
Ai vjen nga një familje punëtore laçjane, me tradita në fushën e biznesit dhe të bindur se vetëm puna të nderon e të zbardh faqen.
Na tregon se gjyshi i tij ka qenë pronar i një dyqani deri në vitin 1949 kur edhe iu është sekuestruar.
I ati ka punuar si ekonomist në ndërmarrjet dhe fermat e shtetit dhe pas viteve ’90 ka punuar po në këtë profesion në mënyrë private.
Por si u bë Lleshi pjesë e industrisë së prodhimit të këpucëve?
“Në vitin 1991, kur ndryshoi sistemi dhe filloi hapja e lëvizja e lirë unë nisa të merresha me tregti makinash dhe motorësh. Në atë kohë isha 24 vjeç dhe si shumë të rinj kisha këto pasione…
Në fillim e nisa duke shitur motorë të vjetër në Itali të jugut, që i blija këtu në Shqipëri. Nga ana tjetër nga Italia merrja makina dhe i shisja në vendin tonë. Fitoja goxha në atë periudhë, sepse i blija lirë dhe i shisja shtrenjtë”- shpjegon Nikolini teksa tregon për momentet e para të fillimeve të tij kur vendi ishte i etur për tregti.
Mesa duket në atë periudhë veshi këpucët e duhura dhe nuk iu nda më kësaj rruge.
“Duke patur kontakte me italianët e jugut, vija re se në Shqipëri ata sillnin faqe këpucësh për t’i qepur me dorë, me forma nga më të ndryshmet, edhe me furgona. Krahu i punës këtu tek ne ishte më i lirë dhe atyre u leverdiste më shumë që t’i qepnin me punëtorë shqiptarë në Shqipëri se sa në Itali.
Kishin gjetur formën për të sjellë këto këpucë në vendin tonë. Për fatin tim të mirë, unë kisha krijuar shumë njohje me italianë të cilët e bënin këtë punë, dhe aty fillova jo vetëm ta mendoja hapjen e një fabrike për qepje këpucësh, por edhe e konkretizova idenë time duke e hapur atë në qytetin e Laçit. Fabrika u hap në vitin 1993, në Laç, i vetëm, pa ortak”.
Ky ishte viti dhe momenti që Nikolinin do e sillte deri këtu ku është sot…
Por ai nuk u mjaftua me kaq.
“Për shumë vite kisha vetëm fabrikën në Laç dhe në vitin 1999 hapa një të tillë në Krujë, ku isha me ortak.
Më pas një fabrike tjetër i bleva vetëm makineritë. Më pas ndërtova një fabrikë në Vlorë. Prej viti 2009 kam një fabrikë në Kamzë. Hapa edhe në Çorovodë në 2013, ku e ndërtova fabrikën nga e para, dhe fillova aktivitetin. Tani jemi në Kamzë, në Vlorë dhe Laç, ndërsa fabrika e Çorovodës na pësoi një disfatë dhe u dogj vitin e kaluar, për momentin jemi pezull atje”.
Pra, Nikolini gjatë këtyre viteve ka hapur fabrika të reja, ka shtuar staf pune, ku sot numëron rreth 2 mijë punëtorë dhe prej vitit 2006, nuk është më fason, pra që qep për të tjerët, por është bërë vetë prodhues. AlbaShoes tashmë prej 15 vitesh prodhon këpucë nën logon Alba &N dhe eksporton në të gjithë Evropën.
“E nisa si një biznes për të cilin e dija që kishte të bënte me njerëzit. Si biznes ishte shumë rentabël, dhe është akoma. Nga viti ‘93 deri në 2006 unë punoja tercist, dmth për të tjerët. Kam punuar për firmat më të mira që prodhojnë këpucë në botë.
Në vitin 2006, për të qenë më i sigurt në këtë treg dhe për të patur punën time, vendosa të jem vetë prodhues. Erdhi momenti të zgjidhja se çfarë këpucë do të prodhoja, dhe zgjodha… këpucën e punës.
Pse? Punëtori nuk ka stinë, duhet të punojnë 12 muaj të vitit. Për mua këpuca e modës ishte më e ndërlikuar, ndërsa me këpucën e punës ndihesha më i sigurt dhe me treg të garantuar. Dhe kështu bëra.
Që nga 2006 jam prodhues, por punoj njëkohësisht edhe për të tjerët, pasi kam kontrata me firma shumë prestigjioze”.
-Kur thoni këpucë pune, për çfarë e keni fjalën?
“Për të gjithë punëtorët që nga ndërtimi e deri te shërbimi sanitar”.
Edhe pse e njihte si fushë, për Nikolinin nuk kanë qenë të lehta që këto 15 vite të renditet në listën e më të mirëve, pasi të prodhoje këpucë nën logon tënde, duhet ta bëje atë të njohur, ta ekspozoje në panaire dhe t’i tregoje botës për mallin që të je duke hedhur në treg.
“Fillova duke marrë pjesë në panaire, duke prezantuar modelet e këpucëve. Krijova edhe një kompani në Itali nga e cila marr edhe lëndën e parë. Quhet Alba &N. Duke shitur në Europë, shpesh klientët e kanë mbrapsht të vijnë në Shqipëri, kështu që më binte më lehtë që të punoja nëpërmjet Italisë. Po ka edhe shumë klientë që vijnë e i marrin në Shqipëri.
Nga 100 mijë palë këpucë që kemi prodhuar në 2006-ën, në vitin e parë të punës, në 2020 kemi shkuar në 2 milionë palë në vit. Këto vetëm prodhime të mijat. Plus 1 milion e ca palë për të tjerët… Fabrikat tona kanë nxjerr 3 milionë e ca palë këpucë në vit.
Ne kemi arritur të faturojmë 30 e ca milionë euro në vit. Taksat që i paguajmë shtetit janë gjithashtu të majme. Vetëm sigurimet shoqërore shkojnë 120 mijë euro në muaj”.
Garancia
Këpuca e punës kërkon standard në materiale dhe siguri në përdorim. Për të realizuar këtë Nikolin Lleshi ka punësuar dizajnera dhe modelist nga Italia të cilët kanë ideuar dhe realizuar këpucët.
“Këpuca që del nga AlbaShoes nuk është artizanale, por industriale. Për realizimin e saj përdoren makineri moderne që kushtojnë miliona euro.
Zyrat teknike e kontrollit të cilësisë janë ndërtuar e janë operative brenda fabrikave tona. Çdo produkt kontrollohet e testohet në brendësi të kompanive e më pas certifikohen rregullisht pranë institutit italian të certifikimit për këpucët e siguresës CIMAC”.
-Ku i eksportoni këpucët?
“Në të gjithë Europën. Aktualisht 95 për qind e prodhimit eksportohet jashtë Shqipërisë, volumet më të mëdha të shitjeve janë në Ballkan, Gjermani, Francë, Itali, Spanjë e vendet e Europës veriore e lindore . Ndërkohe që nga 2017 një rritje të konsiderueshme ka pasur dhe eksporti me vendet gadishullit arabik .
Vetëm rritje kemi patur nga viti në vit. Jemi ndër 10 prodhuesit më të mëdhenj në Europë. Marrim pjesë çdo vit në panair, në Duseldorf dhe në Paris. Ne nuk bëjmë këpucë me i mbajt stok. Kemi porosi, 300 mijë palë në muaj. Lënda e parë vjen nga Italia, Pakistani, Bangladeshi, India.
Shpesh edhe ne shkojmë në panairet e lëndëve të para, për të parë lëkurat e reja…Këpuca e punës ka një standard, nuk quhet veshje, quhet mjet sigurie”.
Të jesh 30 vite në krye të një kompanie në të cilën ke të bësh me njerëz, me kontrata, me shumë punëtore, shumë paga, transporte, në ndonjë moment e marrim me mend që kreu i saj duhet të jetë lodhur, por jo. Ai na garanton të kundërtën.
“Nuk jam lodhur asnjëherë, kam eksperimentuar në fusha të tjera biznesi, por këtu kam qenë më stabël dhe këtu dua të qëndroj. Kam katër fëmijë, të cilët janë përfshirë në këtë biznes. Kam vajzën dhe 3 djem.
Sot renditemi në dhjetë prodhuesit më të mëdhenj në Europë.
Firmat e mëdha që lidhin kontratë me ne herë pas herë për t’u qepur këpucët janë moncler, guçi, armani, ferragamo.
Momentalisht në fabrikat tona janë të punësuar rreth 2 mijë persona. Gjatë pandemisë nuk kemi pushuar asnjë nga puna dhe kemi dhënë pagat rregullisht, pavarësisht vështirësive dhe probleme që pësoi tregu në mbarë botën”.
Me gjithë sfidat dhe eksperimentet e herëpashershme në biznes, Nikolin Lleshi e ka kuptuar që këpucët e punës, janë ato që i rrinë më mirë dhe e kanë bërë që të jetë sot një ndër biznesmenët më të suksesshëm në vend. /Burimi i lajmit: Gazeta DITA