Katër persona janë arrestuar nga policia e Beratit, si pjesë e një grupi kriminal, që shpërndante lëndë narkotike në qytet. Mes të arrestuarve është dhe Jurgen Kollçaku, nipi i deputetit socialist, Bardhyl Kollçaku, i cili ka mbajtur dhe postin e drejtuesit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.
Sipas policisë, Jurgen Kollçaku, së bashku me Gjergji Braha, Kleo Doko dhe Sherif Isaj, vepronin si grup i strukturuar i prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në Berat dhe Kuçovë. Blutë konfirmuan këtë të Hënë ekzekutimin e masave të “arrestit me burg” për personat e sipërpërmendur, të dhëna nga gjykata e Beratit.
Burimet policore konfirmojnë se, gjatë kontrollit në banesat dhe automjetet në pronësi të këtyre shtetasve u gjetën dhe sekuestruan edhe armë të ftohta dhe municione luftarake, ndërkohë që po vijojnë hetimet me qëllim identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Jurgen Kollçaku është djali i vëllait të Bardhyl Kollçakut. Ky i fundit është thirrur disa herë në SPAK për shkak se ka qenë një nga personat që ka firmosur tjetërsimin e pronave të ushtrisë në bregdet, të cilat u janë dhënë investitorëve strategjikë.