Rektorati i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit të studentëve dhe personelit akademik, por ky proces po vijon me ritme shumë të ngadalta.
Në bashkëpunim me Drejtorinë e Kujdesit Shëndetësor është organizuar puna për mbarëvajtjen e këtij procesi duke u ngritur dy qendra vaksinimi kundër COVID-19, një qendër vaksinimi pranë Korpusit Kryesor ku ka nisur vaksinimi për rreth 4000 studentë të fakulteteve të Shkencave Humane, Shkencave Sociale, Shkencave të Natyrës dhe Fakultetit Ekonomik.
Qendra tjetër e vaksinimit është ngritur pranë Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike ku do të vaksinohen rreth 2000 studentë. Personelit mjekësor i është dhënë lista me emrat e studentëve dhe ndërkohë UE ka vënë në dispozicion edhe personel administrative në ndihmë të procesit të vaksinimit. Vaksinimi do të vazhdojë nga ora 09.00 deri në orën 13.00 deri në datën 17 tetor.
Deri më tani 63% e personelit është vaksinuar me 2 doza, 13% me një dozë dhe 24% të pavaksinuar për arsye shëndetësore. Sipas burimeve zyrtare për sa i përket studentëve nga 1247 të pyetur rezulton se 19% janë vaksinuar me 2 doza, 20% me një dozë dhe 61% të pavaksinuar.
Lidhur me situatën aktuale të vaksinimit në UE rektori i këtij Universiteti, Prof, dr. Skënder Topi deklaroi se pritshmëritë për ecurinë e procesit të vaksinimit të studentëve janë të mëdha ndërkohë që aktualisht 63% e personelit deri tani është vaksinuar.
Nga ana tjetër konfirmohet se në ditën e parë të javës së vaksinimit pranë dy qendrave të vaksinimit ishin paraqitur vetëm 6 studentë. Ndërsa po kaq i paraqitën deri në orën 10:30 të ditës së dytë. Studentët shprehen se ata dëshirojnë të vaksinohen, por imponimin e kanë të vështirë ta pranojnë. Por të tjerë ju bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve që të vaksinohen sepse kjo i shërben shëndetit të tyre dhe ecurisë së procesit mësimor.
UE ka bërë me dije se personeli dhe studentët duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit COVID-19 apo kartën e vaksinimit për të hyrë në mjediset e UE bazuar në urdhëresat përkatëse.
/Priza.al/