Sot shënon nisjen e pelegrinazhit 13-javor në Kishën e Shna Ndout në Laç. Çdo vit, besimtarë të shumtë i drejtohen kishës së shenjtë për t’u lutur e për të gjetur ngrohtësi shpirtërore, shëndet, harmoni dhe begati. Janë 13 të marta që respektohen nga besimtarët, për të mbërritur deri në ditën e Shna Ndout. Pelegrinj të shumtë i janë drejtuar këtë të martë këtij vendi të shenjtë, për të gjetur ngrohtësi shpirtërore, duke drejtuar lutjet e tyre për qetësi, shëndet, harmoni dhe begati.
Kisha e Shna Ndout njihet ndryshe edhe si kisha e mrekullive, dhe vizitohet nga një numër i madh qytetarësh në çdo periudhë të vitit.
Pelegrinët janë nga çdo skaj i vendit, ndërsa besojnë tek mrekullitë e Kishës së Laçit, ndaj edhe e frekuentojnë.
Besimtarë me qirinj ecin në rrugën ku besohet se ka kaluar Shna Ndou. Ata duan shpëtim, kryesisht për shëndetin. Kisha e Shna Ndout daton që nga shekulli XIII.
Objekti i rëndësishëm i kultit mori famë për shkak të Shna Ndout, një predikues i njohur katolik. Pelegrinazhi kulmon në muajin qershor.