Nis pelegrinazhi në malin e Tomorit, 5 ditë festë në qarkun e Beratit

Këtë të shtunë, datë 20 gusht ka nisur pelegrinazhi drejt malit të Tomorit në qarkun e Beratit.

Ky pelegrinazh zgjat nga data 20-25 të këtij muaji, ku qindra besimtarë shqiptar e të huaj falen në “malin e shenjtë” për dashuri, shëndet dhe mirësi në familjet e tyre. Mësohet se në Teqenë e Kulmakut, qytetarët kanë vendosur çadra për të mundësuar akomodimin gjatë këtyre ditëve, ku do të kenë mundësinë të bëjnë kurban dhe të ndezin qiri sipas ritit fetar që kryejnë këta pelegrinë.

Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen.

Sipas gojëdhënave thuhet se Abaz Aliu, nga Arabia, së bashku me vëllanë e tij të vogël, u vendosën në Berat, duke u bërë mbrojtës të nahijes. I vëllai mbronte qytetin e Beratit, ndërsa Abaz Aliu u vendos në Tomorr, për të mbrojtur gjithë fiset dhe krahinat e Tomorit. Ditën e 25 gushtit shpirti i tij vjen nga Olimpi dhe kthehet përsëri për të çliruar viset e Beratit nga gjithë të këqijat. Populli ka respekt e nderim hyjnor për dy vëllezërit, sepse betohet “për Baba Tomor”, “për Abaz Ali”.

Legjendat e gojëdhënat popullore hedhin dritë mbi frikën, mbi forcën magjike të barnave që përdoreshin për shërimin e sëmundjeve, por shprehin njëkohësisht respekt dhe nderim për Baba Tomorrin e për Abaz Alinë. Shenjtërimi i Tomorit nuk është rastësi, por është rrjedhojë e bukurive të rralla dhe e madhështisë së tij. Mbi këto bukuri të veçanta të tij u krijuan misteret, miti, legjenda, gojëdhëna. Këtë e vënë re hulumtuesit e ndryshëm.

 

 

 

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *