Këtë sezon turistik në det do të patrullojnë policë kufitarë me Jet Ski. Detyra e tyre do të jetë kontrolli i detit sa i përket respektimit të rregullave nga përdoruesit e mjeteve motorike, si dhe dhënia e ndihmës çdo qytetari që ndodhet në rrezik.
Njësia Policore Detare do të përbëhet nga 104 punonjës policie, e ndërsa në terren do të jenë 35 Jet Ski që do të patrullojnë në vijën bregdetare nga veriu në jug.
“Në sezonin e shkuar turistik, një ngjarje e provokuar nga një pjesëtar i padenjë, një shëmbëlltyrë e së keqes në polici. Humbi jetën një vogëlushe dhe doli në pah një dobësi e shtetit në përballjen me një peshë krejt ë re si rezultat i një transformimi të vazhdueshëm të sezonit turistik dhe i futjes në këtë sezon i mjeteve të ujit të cilat janë shtuar ndjeshëm, por duke shtuar ndjeshëm rrezikun dhe për pasojë edhe shkallën e përgjegjësisë të forcave të policisë. U desh ajo tragjedi për të reaguar dhe për të nxjerrë një mësim të madh dhe për t’iu përgjigjur sfidës së re dhe një rreziku të shtuar me krijimin e një njësie të ujit që është këtu me gjithë mjetet e nevojshme për ta vënë në kontroll aktivitetin në ujë të mjeteve lundruese private”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama pati premtuar që Njësia Policore Detare e sapo ngritur do të mbante emrin “Jonada”, për hir të vogëlushes që ndërroi jetë tragjikisht nga një motor uji, por shtoi se një gjë e tillë nuk do të bëhet me dakordësinë e familjes.
“Akti kriminal i atij individi që i uli kokën shtetit, që na bëri të gjithëve që të skuqemi si asnjë herë tjetër duhet t’ju shërbej të gjithëve si një kambanë që duhet t’i bjerë alarmit sa herë që dilni nga shtëpia për të mos bërë asgjë nga ato që turpërojnë gjithë bashkësinë e uniformave blu dhe shtetit. Unë e pata premtuar që kjo njësi do mbante emrin e vogëlushes dhe në mirëkuptim të plotë, ramë dakord që kjo gjë të mos bëhet, por nga ana tjetër ai kujtim duhet të jetë motivi i punës, i mundit dhe i suksesit, që ajo humbje e tmerrshme të shërbejë që familjet fëmijët të ndihen të qeta dhe të pushojnë”, tha Rama.