Nis seanca gjyqësore ndaj Faruk Ozer, shtetasi turk i cili akuzohet për mashtrim me anë të kriptomonedhave.
Në seancë pritet të vendoset për ekstradimin e të shumëkërkuarit nga drejtësia turke por, avokatët mbrojtës kanë kërkuar sërish shtyrje të seancës.
Kujtojmë se mbrojtja kundërshton ekstradimin e Faruk Ozer.
Faruk Ozer u arrestua në jug të vendit, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi dyshohet se ka mashtruar 400,000 persona, të cilët kanë depozituar 2 miliardë dollarë kriptovaluta në bursë.
Ozer ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, ndërsa Gjykata e Lartë e Stambollit kishte lëshuar ndaj tij urdhër arresti në vitin 2021, për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.
I riu turk, kishte mbërritur në Shqipëri më 20 prill 2021, përpara se autoritetet e vendit të tij të viheshin në lëvizje. Një ditë më pas, në platformën Thodex, investitorët lexuan një njoftim të pazakontë për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit “për shkak të një investimi të rëndësishëm”. Ky njoftim, i vuri ata në alarm, pasi nuk u mundësohej më qasja në portofolet e tyre. Më 23 prill 2021, autoritetet turke arrestuan 62 persona të lidhur me Thodex, dhe disa të tjerë u shpallën në kërkim.