Festivali ndërkombëtar i filmit nis ditën e sotme në Kanë, me një tapet të kuq që do të përshkohet nga yje të shumtë, duke përfshirë Harrison Ford, Johnny Depp dhe Natalie Portman, dhe janë 21 filma në garë për Palmën e Artë.
Imazhi i festivalit këtë vit është aktorja franceze Catherine Deneuve me portretin e saj të madh në hyrje të pallatit. Fotoja bardhezi është e vitit 1968 nga produksioni i “La chamada” me regji të Alain Cavalier.
Ndër yjet që konkurrojnë për Palmën e Artë janë tashmë personalitete të vlerësuara si britaniku Ken Loach (86), dy herë fitues (2006 dhe 2016), gjermani Wim Wenders, i cili fitoi çmimin në 1984 për “Paris Texas”, dhe italiani Nani Moretti.
Regjisori finlandez Aki Kaurismaki po rikthehet gjithashtu në Kanë me “Gjethet e thara”, si dhe italiani Marco Bellocchio me “Rrëmbim”, që flet për një djalë hebre që u rrëmbye nga Kisha Katolike dhe u konvertua me forcë në krishterim në shekullin e 19-të.
Regjisori japonez Hirokazu Kore-eda, i kurorëzuar me Palmën e Artë në vitin 2018 për filmin “Family Affair”, do të prezantojë “Përbindëshi”.
Polemika mund të shkaktojë filmi “The Return” i regjisores franceze Katrin Corsini. Filmit iu hoq financimi nga fondet publike, për shkak se protagonistët nuk raportuan xhirimin e një skene të simuluar eksplicite seksi me një aktore nën moshën 16 vjeç, siç e kërkon ligji.