Ditën e sotme ka nisur mësimi plotësues në shkolla por zyrtarisht viti shkollor nis më datë 27 shtator. Gjatë javëve të mësimit plotësues nxënësit nuk janë të detyruar që të shkojnë në orët e mësimit, pra është me dëshirë për të marrë disa orë të cilat mund të jenë më mungesa si pasojë e procesit mësimor ‘të cenuar’ nga përhapja e COVID-19.
Bashkë me zhvillimin e mësimit plotësues do të jenë disa rregulla që ka nxjerrë ISHP-ja të cilat duhet ndjekur në mënyrë rigoroze si nga nxënësit ashtu edhe nga stafet pedagogjike.
Së pari mbajtja e maskës në ambientet e shkollës do të jetë i detyrueshëm si nga ana e nxënësve ashtu edhe e mësuesve, edhe nëse këta të fundit janë të vaksinuar.
Sipas ISHP-së mbarëvajtja e procesit mësimor do të bëhet e mundur me vaksinimin e të gjithë stafit pedagogjik dhe personelit si roja, sanitaret e të tjerë të cilët duhet të vaksinohet deri më datë 30 shtator. Të gjithë ata që nuk vaksinohen duhet të dorëzojnë një raport nga mjeku i familjes me arsyet përse nuk janë vaksinuar.
Në klasa, nxënësit duhet të qëndrojnë në një distancë 1.5 metra nga njëri-tjetri dhe ambientet duhet të ajrosen vazhdimisht. Nxënësve të ciklit të ulët u rekomandohet të mbajnë maskë gjatë orarit të mësimit, ndërsa nxënësit e ciklit të lartë duhet të mbajnë maskën në ambiente e brendshme në shkolla.
Në udhëzimin e ISHP thuhet po ashtu se nuk do të lejohet që një nxënës të dali nga godina dhe të rikthehet përsëri në të, brenda ditës.
Do të lejohet vetëm një hyrje dhe një dalje në ndërtesën e shkollës, ndërsa dalja nga ambientet e shkollës do të bëhet sipas rregullave duke ruajtur distancimin social dhe fizik, nën mbikëqyrjen e mësuesve kujdestarë.
Me nisjen e mësimit plotësues në shkolla, ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka apeluar që ‘të shfrytëzohet’ muaji i hapur i vaksinimit masiv në mënyrë që të gjithë të imunizohen dhe mos cenohet procesi mësimor.
Kushi është shprehur e kënaqur që pjesa më e madhe e mësuesve në të gjithë Shqipërinë tashmë janë vaksinuar me të dyja dozat. Ajo ka inspektuar disa shkolla të Tiranës dhe ajo që bie në sy është mosmbajtja e maskës si nga ministrja e Arsimit, ashtu dhe nga mësuesit edhe pse ISHP ka apeluar për mbajtjen e saj dhe kur Komiteti Teknik tashmë e ka bërë të detyrueshme në ambientet e mbyllur.
/Priza.al/