Në këto ditë të nxehta verë një prej shqetësimeve që kemi më shpesh është ruajtja e shëndetit të lëkurës. Rrezet e forta të diellit janë një bekim por në këto 2 muaj temperaturash ‘afrikane’ duhet të kemi kujdes edhe nga to.
Mjekja dermatologe Laura Ramollari ka cekur edhe një prej sikleteve më madhore, acarimin e nishanëve. Teksa nënvizon se është gjithmonë domosdoshmëri kontrolli te specialisti mjekja shprehet se më të predispozuar për kancer lëkure janë ato persona kanë më shumë se 20 nishane në trup, ata lloj personash që në familje kanë histori nishanesh apo form kanceri të lëkurës, ata persona të cilët mund ta kenë lëkurën e thatë etj. “Patjetër, është i rëndësishëm edhe njëherë ekzaminimi me dermatoskop. Dermatoskopi është një eko, siç shikohet dhe nëpërmjet asaj shikohen ato gjërat e vogla dhe ndryshimet e vogla që nuk i kap akoma syri normal i njeriut, por shikohen me dermatoskop”, përsëriti mjekja Ramollari.
Lëkura është organi më i madh në trupin e njeriut. Sa i rëndësishëm është kujdesi për të?
Siç e dimë të gjithë, duhet një kujdes shumë i madh dhe i rëndësishëm për lëkurën. Nëpërmjet lëkurës ne shikojmë probleme të vetë lëkurës dhe probleme të brendshme, probleme të ndryshme patologjike që shfaqen gjithashtu në lëkurë, kështu që është shumë e rëndësishme dhe duhet që të përkujdesemi për të dhe duhet që të jemi gjithë kohën duke e ruajtur dhe nën vëzhgim. Në lëkurë ne mundet që të shikojmë një problem alergjik, mundet që të shikojmë një acarim të lëkurës nga ambienti i jashtëm, mundet që të kemi shfaqje të puçrrave të infeksioneve të vetë lëkurës, por mundet që të shikojmë probleme të zemrës, të mëlçisë, të anemisë, probleme hematologjike, të çrregullimit të yndyrnave, që do të thotë se është e rëndësishme dhe është pasqyrë e vetë organizmit.
A vihet re tashmë një rritje e interesit të pacientëve për kujdesin e lëkurës dhe cilat janë sipas jush grupmoshat më të interesuara, por edhe ata që kujdesen më së shumti?
Duket që ka një sensibilizim dhe një rritje të interesit për t’u kujdesur për lëkurën. Kjo gjë vihet re duke u interesuar për mbrojtësit, kremrat me fatorë mbrojtës, kremrat hidratues që duhet të përdoren, zbutësit e lëkurës. Duhet që të evitojnë faktorët dhe arsyet pse acarohet lëkura, kështu që sigurisht ka një rritje të interesimit dhe të ndërgjegjësimit për mbrojtjen e lëkurës, edhe për ruajtjen e lëkurës domosdo si organi më i madh i organizmit, që ne e përmendëm. Grupmoshat të cilat janë më të inreresuara janë sigurisht të rinjtë, të cilët janë të ndërgjegjësuar që duhet të interesohen si për çdo, ne përkujdesemi për sytë, për veshët, duhet të përkujdesemi edhe për lëkurën.
Sipas jush, kush është mosha ideale për të filluar kujdesin rutinë për lëkurën dhe kush duhet të jetë ai kujdes?
Ne duhet që të shikojmë dy koncepte, dihet që mirëmbajtja dhe përkujdesi është gjithë kohën dhe që kur lindim derisa plakemi. Ndërkohë që ka disa të tjera përkujdesje shtesë që duhet të fillojnë pas moshës 20-25 vjeç. Dihet tashmë që organizmi ynë rritet, bashkë me të edhe lëkura, deri në moshën 20-25 vjeç që është maksimumi. Pas kësaj moshe fillon plakja e organizmit dhe domosdo edhe plakja e lëkurës. Dhe në këto momente është mirë dhe e rëndësishme që të fillohet përkujdesja për të ruajtur këtë rini, kremrat kundër plakjes, antirrudhë, përkujdesjet e ndryshme e me radhë.
Në fakt gjithmonë janë femrat ato të cilat kujdesen më shumë për lëkurën e tyre, pothuajse dhe për të gjithë pamjen. Po nga ana e meshkujve a ka një interes, a vihet re një interes në rritje? Kush është dallimi midis interesit femëror dhe gjinisë mashkullore?
Që duhet të jetë përkujdesja dhe rritja e interesit në të dy krahët, si për femrat edhe për meshkujt, duhet që të jetë. Sigurisht që femrat janë më të prira për t’u përkujdesur ndaj bukurisë dhe ndaj të bukurës dhe ndaj mirëmbajtjes dhe domosdo është më e theksuar kjo gjë që vihet re te femrat, por ka plot edhe meshkuj që kujdesen, të cilët i kanë pak më të thjeshta problemet e mirëmbajtjes. Janë më të kufizuar te kremrat me faktorë mbrojtës kundër diellit, te hidratuesit. Ata, përkundër femrave, nuk kanë celulit. Femrat e kanë edhe problemin e celulitit edhe të strijave që gjithashtu bëhen, kështu që ka dallime midis femrave dhe meshkujve gjithsesi.
Tashmë në fakt kemi mbërritur në stinën e ver dhe dihet ndoshta që pyetja që të gjithë interesohen janë pikërisht efektet negative që ka rrezatimi diellor mbi lëkurën. Cilat janë ato?
Efektet negative që ka rrezatimi diellor në lëkurë varen nga rrezet, të cilat janë rrezet ultraviolet që janë të dëmshme për lëkurën. Gjithashtu edhe ato i ndajmë në dy kategori, rrezet ultraviolet A dhe rrezet ultraviolet B. Do të duhet që ne të evitojmë ekspozimin kundrejt këtyre rrezeve dhe kjo gjë bëhet duke evituar orarin e pikut ku janë këto rrezatime, që është nga ora 11 deri në orën 4 pasdite. Duhet që gjithsesi të dalim të mbrojtur, jo vetëm me mbrojtësit kimikë siç janë kremrat, por edhe me mbrojtje fizike, kapelë, çadër, hije, në mënyrë që të evitohet ekspozimi i zgjatur në kohë i lëkurës dhe i tërë trupit tonë, i organizmit në diell. Gjithashtu do të duhet patjetër që edhe jashtë këtij orari që janë rrezet ultraviolet, ne duhat që ta bëjmë ekspozimin gradual të diellit, edhe çdo ditë duke e rritur ekspozimin e diellit në mënyrë që të evitojmë atë që quhet djegie. Djegiet pastaj janë me grada të ndryshme. Kemi djegie të gradës së parë që është një irritim dhe një skuqje e lehtë; e gradës së dytë që bëhet edhe me puçrra me ujë dhe me radhë grada e tretë dhe e katërt që është akoma më e rëndë dhe më e thellë, së cilës nuk duam t’i hyjmë por po qëndrojmë vetëm te këto që janë të sipërfaqes.
Meqenëse jemi te djegiet, në fakt ajo që më së shumti kërkojnë qytetarët është pikërisht që të marrin menjëherë atë pigmentin dhe ngjyrën e menjëhershme të lëkurës. Ekzistojnë në fakt mendësi të tilla të paktën te të rejat dhe te të rinjtë që të aplikojnë në lëkurën e tyre vajin e ullirit. Edhe është një mendësi në fakt që për hir të së vërtetës aplikohet shumë. Kush është këshilla juaj dhe a ka efekte anësore, a ka efekte negative, a ndikon kjo në djegien e lëkurës?
Mirë është që përpara se të fillojmë një ekspozim në diell për të marrë rreze apo për t’u nxirë, për të ndryshuar pigmentin e lëkurës, mirë është që ne të dimë tipin e lëkurës, çfarë tipi kemi. Tipi i lëkurës varet nga shpërndarja e pigmentit të melaninës në lëkurën tonë. Kështu, nisur nga shpërndarja e pigmentit ne kemi katër tipe të ndryshme, tipi i parë, i dytë, i tretë dhe i katërt. Tipi i parë nuk ka melaninë, të dojë të skuqet apo të nxihet është e pamundur. Ai vetëm digjet nën rrezet e diellit. Kështu që nisur nga se çfarë tipi lëkure kemi, patjetër që ne duhet të bëjmë ekspozimin dhe duhet që të presim dhe çdo gjë varet nga çfarë tipi lëkure. Të duam që të nxihemi apo që të marrim atë ngjyrën e errët, nuk mundemi për disa lloje lëkurash të caktuara. Nisur nga fakti i përdorimit të vajit të ullirit që përdoret në persona të caktuar, vaji i ullirit është biologjik. Sigurisht që nuk e bën mbrojtjen e mirë sepse nuk ka filtra mbrojtës për të mbrojtur lëkurën, me përjashtim të faktit që duke qenë biologjik dhe që ka atë pigmentin e vet natyral, mundohet që të ngjyroset lëkura, por në fakt nuk mbrohet, por më shumë shtohet ekspozimi në diell pa u mbrojtur dhe kështu që në të vërtetë dëmtohet lëkura, nuk është se kemi një mbrojtje duke e lyer me vajin e ullirit.
Sa të shpeshta janë sëmundjet e lëkurës në stinën e verës, infeksionet dhe alergjitë? Të paktën nga eksperienca juaj, cilat janë grupmoshat që preken më së shumti?
Pikërisht ajo gjëja që ne vëmë më shumë re në periudhën e verës janë kryesisht infeksionet e lëkurës të marra nga ambienti jashtë dhe kryesisht nga pishinat ose nga zhytjet në liqenin e Pogradecit apo të Prespës, zona që kemi më afër, apo sigurisht edhe pas plazhit kur shkojmë në det, kontakti me shezlonët, peshqirët e përdorur e me radhë. Në secilën nga këto vëmë re sëmundje të ndryshme. Kështu, te fëmijët e vegjël janë ato që quhen infeksione stafilotoksike të lëkurës, të cilat janë kryesisht në fytyrë apo edhe në pjesët e ekzpozuara të zbuluara të trupit të cilat janë në kontagjoze, d.m.th. ngjiten nga njëri-tjetri. Fëmijët duke dalë më shpesh me njëri-tjetrin, duke luajtur, është arsye për t’u ngjitur infeksioni. Gjithashtu vëmë re problemet alergjike, të cilat i shikojmë më së shumti te fëmijët edhe te të rinjtë. Problemet alergjike kryesisht nga ambienti, polenet, lulet, bari, kontakti me të cilat ato kanë të bëjnë ku ulen dhe ku rrinë. Në moshat pak më të rritura ne vëmë re pastaj problemet alergjike, me kruarje të lëkurës, acarim të lëkurës sepse shtohet djersitja në periudhën e verës. Dhe kështu që domosdo shtimi i djersitjes acaron lëkurën. Edhe kryesisht te moshat e vjetra vihet re kjo gjë, që ndikon edhe hollimi i lëkurës, edhe lëkurë delikate, edhe lëkurë e thatë nga dehidratimi dhe nga problemet e tjera që kanë sëmundje të tjera bazë siç është tensioni ose shkarkuesit e ndryshëm që ta pinë për të hequr lëngjet e trupit. Kështu që ndikojnë të gjitha ato që të acarohet dhe të kemi probleme më të shtuara të lëkurës në periudhën e verës.
Për personat që kanë nishane të shumta në lëkurë, a është i rrezikshëm për ta ekspozimi në diell dhe a duhet të tregojnë këta persona një kujdes më të shtuar dhe më specifik të lëkurës? Nëse po, kush është ai?
Pikësëpari do të duhet që të drejtohen te specialisti për të parë llojin e nishanit, tipin e nishanit, sa i rrezikshëm apo jo i rrezikshëm është, si ndikohet për t’u ruajtur, për t’u trajtuar, për t’u hequr. Edhe kjo gjë bëhet nëpërmjet ekzaminimit me dermatoskop që është shumë i rëndësishëm në ekzaminimin e nishaneve dhe llojit dhe rrezikshmërinë që paraqet ai. Pastaj gjithsecili do të duhet që të shikojë dhe siç e thamë, të përgjojë veten e vet. Por zakonisht më të predispozuar janë ato lloj personash që kanë mbi 20 nishane në trup, ata lloj personash që në familje kanë histori nishanesh apo form kanceri të lëkurës, ata persona të cilët mund ta kenë lëkurën e thatë dhe fillojnë që këto nishane të kruhen, të ndryshojnë formën, të ndryshojnë ngjyrën, të gjakosen ndonjëherë ose të traumatizohen aksidentalisht dhe për të gjitha këto gjëra duhet patjetër që të shikohet nga specialisti përkatës siç është dermatologu në këtë rast. Patjetër, është i rëndësishëm edhe njëherë ekzaminimi me dermatoskop. Dermatoskopi është një eko, siç shikohet dhe nëpërmjet asaj shikohen ato gjërat e vogla dhe ndryshimet e vogla që nuk i kap akoma syri normal i njeriut, por shikohen me dermatoskop.
Mbetemi sërish te stina e verës. A ekziston një lidhje midis tumoreve të lëkurës dhe ekspozimit ndaj rrezeve të diellit?
Po. Tumoret e lëkurës patjetër që janë keqformime të shtresave të lëkurës sepse secila shtresë e lëkurës prodhon një kancer apo tumor të caktuar dhe secila nga ato patjetër që ndikohet dhe ka arsye edhe nga ekspozimi. Por nuk është vetëm ekspozimi. Në formimin e kancerit të lëkurës është patjetër një predispozicion gjenetik, është mosmirëmbajtja që po e përmendim prapë, dhe moskujdesi i duhur jo vetëm i sivjetshëm apo i vjetshëm, por edhe i viteve më përpara gjatë jetës së tyre. Format e kancerit shfaqen në moshë të rritur, ndërkohë që është gjithë keqmirëmbajtja e gjithë jetës së tyre, të cilat përfundojnë pastaj në moshë të madhe, të cilët duhen parë dhe janë me lloje të ndryshme edhe për secilën nga ato veprohet nisur nga një protokoll i caktuar i trajtimit dhe i vëzhgimit, të pasurit nën kujdes dhe vëzhgimi nën kontrollin e specialistit.
Si një mjeke specialiste, kush janë shërbimet dermatologjike më të këshillueshme për ju në kohën e stinës së verës?
Pikësëpari është vizita klinike që ne e shikojmë me syrin tonë elementin në lëkurë. Shikojmë formën, shikojmë madhësinë e tij, shikojmë ngjyrën, shikojmë elementet parësore apo dytësore të lëkurës. Tjetra është ekzaminimi nëpërmjet një llambe zmadhuese, e cila na jep forma dhe ato elemente që ne nuk i shikojmë me sy të lirë, na i jep më të zmadhuara. Por gjithashtu është dermatoskopi, siç ne e përmendëm më përpara për nishanet. Një tjetër ekzaminim shumë i rëndësishëm që ia vlen për t’u përdorur në periudhën e verës është ekzaminimi me llambën e Vudit. Është një aparat specifik i dermatologut, i cili ndan nëse, kur ne kemi elemente dhe pulla në lëkurë, nëse është problem myku apo mungesë vitamine. Pastaj është edhe biopsia kutane, që merret lëkura dhe ekzaminohet në laborator, një pjesë lëkure, por ajo është pak më specifike dhe ne e përdorim për disa raste, është specifike nuk është në të përditshmen tonë.
Së fundi, do të doja të dija pak këshillat që ju do të doni të ndani për të gjithë ata që janë duke na dëgjuar, duke filluar që nga grupmosha e fëmijëve e për të vijuar më pas te të rriturit. Pra, kush duhet të jetë një kujdes rutinë i tyre sidomos gjatë stinës së verës dhe aq më tepër kur jemi në plazh.
Këshillat janë të shumta, por do të doja që të përmendja disa. Te të gjitha grupmoshat do të duhet patjetër që të mirëmbahet lëkura duke përdorur detergjentët larës, kremrat hidratues apo çfarëdolloj qofshin, nisur nga tipi i lëkurës që ata kanë. Edhe ne e dimë që kemi 3-4 lloje lëkurash. Lëkura e thatë i do kremrat dhe gjërat ndryshe sesa lëkura e yndyrshme apo lëkurat mikste apo lëkurat e bebeve. Kështu që nisur nga tipi i lëkurës duhet që ne patjetër të kemi, të specifikojmë patjetër produktet që do të përdorim. Tjetër është patjetër hidratimi i mirë në të gjithë periudhën, qoftë në verë, në vjeshtë apo në dimër. Lëkura ka nevojë për hidratimin sepse lëkura thahet kur ne jemi në kontakt të shumë me ujin, lëkura thahet dhe dëmtohet kur ne jemi në kontaktin e jashtëm me ambientet apo qoftë aq më keq në diell. Gjithashtu tjetra është që duhet të ruhemi dhe të mbrohemi sa më shumë. Dielli dhe lëkura nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin dhe duhet që të ruhemi sidomos në kohën e rrezeve të dëmshme siç e përmendëm, nga ora 12 deri në orën 4 pasdite, qoftë me kremra apo me kapele, me çadra, me hijet që janë. Gjithashtu do të duhet që për çdo problem dhe shenjë apo për ndryshimin më të vogël të nishanit, do të duhet që të jemi të vëmendshëm ndaj vetes sonë dhe duhet që të drejtohemi te specialisti. Sa më përpara që të kapen problemet, aq më mirë është për pasojat që do jenë edhe më të pakta nisur çfarë problemi ata mundet që të kenë.
A ndikon mënyra e të ushqyerit në shfaqjen që ka lëkura jonë dhe cilat janë sipas jush ato ushqime të këshillueshme që duhet të përdorim tani në stinën e verës.
Lëkura sigurisht që ndikon në mënyrën e të ushqyerit edhe ndikon edhe e shfaq këtë gjë. Dihet që do të duhet patjetër që të bëhet një hidratim i mirë jo vetëm nëpërmjet kremrave, por edhe duke pirë lëngje dhe dhe duke pirë ujë. Do të duhet patjetër që ushqimet të jenë sa më natyrale, ujërat të jenë sa më natyrale dhe nuk duhet që të teprohet. Të ëmblat shumë japin probleme në lëkurë, të kripurat shumë japin probleme në lëkurë, ushqimet pikante japin probleme në lëkurë me skuqje dhe me acarime dhe me shtim të djersitjes. Pijet alkoolike gjithashtu japin acarime në lëkurë, pijet me gaz apo pa gaz por që janë me konservantë gjithashtu japin probleme në lëkurë. Kështu që duke qenë sa më natyralë ndihmojmë organizmin në tërësi, por edhe sidomos lëkurën në veçanti.
/Burimi ReportTv/