Shumë sëmundje të brendshme apo të fshehta ekspozojnë shenjat e tyre në pjesën e jashtme të trupit tonë, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të dallojmë ndryshimet.
Fytyra është një nga vendet ku shumë sëmundje që sapo nisin apo kanë kohë që zhvillohen brenda nesh, japin shenjat e para. Po ashtu disa të tjera japin shenjat e tyre edhe në paraqitjen e lëkurës, që bashkë me fytyrën janë pasqyra e shëndetit, por shpesh edhe e sëmundjeve, sidomos atyre të fshehura.
Mjekët refuzojnë të japin diagnoza nëpërmjet simptomave të dukshme dhe për këtë arsye, ata këshillojnë vizita me pacientët ose të sëmurët. Në këtë artikull do të mësoni për shenjat e sëmundjeve që reflektohen në fytyrë.
Ekspertët këshillojnë që të jeni të vëmendshëm ndaj shenjave të mëposhtme që sinjalizojnë probleme të ndryshme.
Tharja e lëkurës dhe buzëve
Në këtë rast kemi të bëjmë me një shenjë paralajmëruese të dehidratimit, por edhe të hipertiroidizmit apo diabetit. Simptoma të tilla të dy sëmundjeve të fundit përfshijnë: shtim në peshë, lodhje, etje, urinim të shpeshtë.
Qime të tepërta në fytyrë
Te femrat dalja e qimeve të tepërta në fytyrë, veçanërisht në zonën e nofullës dhe pjesë së sipërme të buzës, mund të sinjalizojë një problem hormonal që ka të bëjë me sindromën e “Vezores Policistike”. Kjo sindromë prek shpesh femrat në moshën riprodhuese.
Njolla të verdha tek qepallat
Njerëzit që vërejnë njolla të verdha ose zverdhje të qepallave, janë të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës. Kryesisht këto njolla vërehen tek njerëzit mbipeshë dhe me nivel të lartë kolesteroli.
Qeskat e fryra poshtë syve
Prania e tyre mund të sinjalizojë në përgjithësi ndonjë alergji kronike. Megjithatë nëse pjesa poshtë syve merr një nuancë të errët, atëherë kjo mund të jetë një simptomë e problemeve me gjumin dhe tiroiden.
Asimetria faciale
Nëse vëreni shtrembërim të njërës anë të fytyrës, atëherë duhet të shkoni me urgjencë tek mjeku. Asimetria faciale ndodh kur njeriu po pëson ishemi apo trombozë. Njëra anë e fytyrës është e varur, e mpirë, e tjetërsuar dhe e shoqëruar me vështirësi në të folur.
Nishane të reja
Në shumicën e rasteve, nishanet nuk janë problematike, megjithatë herë pas here duhet t’i kontrolloni tek një dermatolog. Në raste të caktuara, nishanet që ndryshojnë formë dhe ngjyrë mund të jenë duke treguar një problem më të thellë, siç është kanceri i lëkurës ose edhe ndonjë sëmundje të brendshme.
/Burimi: AgroWeb.org/Pwrshtati: Priza.al/