Bujar Nishani, i cili më herët ka kërkuar dorëheqjen e Bashës, e cilëson si alibi të dobët akuzën e kreut të PD-së se zgjedhjet e 25 prillit u manipuluan dhe u blenë nga Partia Socialiste.
“Alibi e dobët për t’i ikur përgjegjësisë dhe hapjes së PD. Ky proces, vërtetimi se janë vjedhur zgjedhjet, duhet të vijojë paralelisht me hapjen e partisë. Nëse nuk largohet, do dëmtojë personalitetin e vet, Basha e ka mbyllur ciklin për të qenë një lider politik, u përpoq prej 8 vitesh, ka pasur mbështetjen maksimale dhe nuk e ka realizuar misionin e tij, nuk arriti që të marrë qeverisjen dhe të kryejë programin”, deklaroi Nishani në një intervistë për Report TV.
Ish-Presidenti dhe ish-ministri i Brendshëm i paralajmëron se nëse Basha nuk largohet nga PD, atëherë Rama do të fitojë edhe zgjedhjet e 2025-ës.
“Nëse qëndron në këtë pozicion mund ta mbajë vulën apo çelësin e PD, por do dëmtohej edhe më shumë në aspektin personal, por do e zvogëlojë edhe më shumë PD, do rrezikojë rrudhjen e saj dhe Rama do të fitojë edhe në 2025 nëse PD nuk reformohet. Dorëheqja është një akt politik perëndimor dhe nuk ka vetëm vlerën e perceptimit të sjelljes me integritet, por edhe çlirimi nga ngërçi psikologjik që ka struktura dhe opinioni i PD-së. Duhet të sillesh europian duke filluar nga vetja, nuk mund t’u kërkosh të tjerëve të sillen europianë dhe vetë të sillesh sipas modelit afrikan”, tha Nishani.