Zgjedhjet lokale të 14 majit janë rreth 2 muaj larg, por kanë nisur të krijojnë dinamika. Partia në pushtet synon të mbetet e tillë, teksa opozita ka nisur të nxisë reagimin qytetar. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri tha në një emision në televizionin Euronews Albania se socialistët synojnë të marrin 45 deri në 55 bashki në zgjedhje lokale në zgjedhjet e 14 majit.
Sipas Gjiknurit, kjo do të bëhet e mundur nisur edhe nga situata aktuale politike në vend dhe gjendja e opozitës.
“Ne nuk biem poshtë 45 bashki. Por ajo që ne synojmë është nga 45-55 bashki, këtu do jetë kufiri që pretendojmë duke marrë parasysh edhe situatën politike në vend, sondazhet, imputi nga strukturat tona elektorate dhe gjendja e opozitës” – tha Gjiknuri.
Sipas tij, PS pritet të ruajë të njëjtën përqindje votash si në zgjedhjet e përgjithshme të 2021, çka siç tha e bën PS forcë të parë edhe në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.
“Mund të jetë sërish 47% vota në total, por synimi është të arrihet objektivi që thashë më parë për numrin e bashkive. Madje po t’i referoheni zgjedhjeve të përgjithshme, po të mblidhen votat del në atë parashikim që thashë. Për ne është e rëndësishme është të jemi parti e parë, nuk do zgjerohet PS pa limit, e rëndësishme është të dominosh jetën politike. Me 48 për qind të votave, PD do jetë parti e parë në zgjedhjet e përgjithshme” – tha Gjiknuri.