Nisin punimet për tunelin e Llogorasë/ Rama tregon ikonën e ndërtimit dhe zbulon projektet për të ardhmen

Në nisjen e punimeve për tunelin e Llogorasë, nuk mund të mungonte kryeministri Edi Rama. Në fjalimin e tij, Rama tha se është një ëndërr që e ka shoqëruar këtë zonë për 30 vite dhe që do zbulojë gjithë zonën përtej plazhit. Kreu i qeverisë theksoi se projektet për porte dhe aeroporte forcojnë shumë ekonominë shqiptare. Ndër të tjera, kryeministri u shpreh se ky tunel është pjesë e gjithë kësaj harte investimesh, të cilat po realizohen njëra pas tjetrës duke krijuar hap pas hapi një gjerdan në tërë këtë kurorë të mrekullueshme të natyrës shqiptare.

“Projekti ka qenë në sirtar për të tria këto dekada, ka qenë një nga kryefjalët e premtimeve të të gjithë atyre që kanë kaluar nga këto anë në fushata elektorale gjatë këtyre 3 dekadave dhe ndryshe nga të tjerët, siç ka ndodhur dhe më të tjera vepra të mëdha ne zotimin tanimë e kemi futur në rrugën e jetësimit në realitet.

E gjithë pjesa e fshehur përtej zonës së plazhit, mes maleve të Labërisë, e cila fshihet nga këtu afër deri tutje në Tepelenë dhe pastaj lidhet me gjithë pjesën tjetër të fshehur të Përmetit, të Gjirokastrës, e deri në Leskovik, Kolonjë e në kufi me Korçën, tanimë po lidhet me një infrastrukturë të re krejtësisht që krijon mundësi të reja për turizmin, për zhvillimin e zonave rurale, për ekonominë e tyre, por edhe për ekonominë tonë kombëtare.

“Tuneli do të bëjë të mundur një shkurtim të konsiderueshëm të kohës, një rritje të konsiderueshme të sigurisë dhe një lidhje organike me segmentin tjetër që është në ndërtim e sipër, ai i Orikumit dhe pastaj me by-passin e Vlorës që është drejt përfundimit me detajet e fundit për të qenë plotësisht i kryer në sezonin e ardhshëm turistik dhe më tutje me by-pass-in e Fierit. Nëse shohim drejt Jugut, po punohet në segmentin poshtë që lidh Palasën me pjesën tjetër të Bregut, drejt Dhërmiut duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin në një zonë që po njeh një zhvillim të konsiderueshëm nga pikëpamja e ofertës turistike, për të shkuar akoma më poshtë në një tjetër vepër që ka qenë nga më të premtuarat Kardhiq-Delvinë, që bën një tjetër shkurtim të kohës, lëvizjes përgjatë gjithë këtij pellgu, duke e afruar shumë ndjeshëm Sarandën dhe nga ana tjetër duke ofruar pamje dhe zona të tëra për t’u vizituar që deri dje ishin tërësisht të paaksesueshme dhe të panjohura.

Pa harruar rrugën e Lumit të Vlorës, pa lënë pa përmendur lidhjen mes Kurveleshit lartë dhe Bregut të Jonit poshtë, duke mos lënë mënjanë pjesën tjetër e cila lidh Nivicën poshtë me Tepelenën, pastaj drejt Përmetit që ndërkohë po lidhet përmes një rruge të re me Leksovikun, për të kaluar në Kolonjë, ku po punohet për lidhjen e shumëpritur me Korçën dhe faktikisht duke i dhënë mundësi turistëve, vizitorëve, udhëtarëve brenda apo atyre që vijnë nga jashtë që në një kohë shumë të shkurtër të mund të qarkullojnë në të gjitha këto territore që ishte e pamundur më parë. Mos të harrojmë aspektin ekonomik. Flet vetë rritja e menjëhershme e vlerës së pronës, asaj toke të mundur për zhvillim turistik dhe agro-turistik në gjithë pjesën e brendshme. Flet vetë për faktin se tani më gjithë ky zhvillim infrastrukturor i ka hapur rrugën një parafytyrimi shumë të prekshëm për të krijuar një realitet të ri të prodhimeve të zonës, të cilat nuk do të jenë më prodhime mbijetese për ata që janë në këto vise”, deklaroi Rama.

Në mbyllje të fjalës, lidhur me inaugurimin e nisjes së punimeve, Rama tha se nuk pret shirita pasi është i fokusuar tek fundi, por ia ka lënë nderin një vajzë, që siç tha ai u bë ikonë e këtij ndërtimi të shtypte butonin.

“Unë nuk pres shirita, nuk besoj tek gërshërët sepse jam shumë i fokusuar tek fundi, jo tek fillimi i punëve, por meqë këtë rast nuk është shirit, por buton dhe dikush duhet ta shtypë këtë buton, kërkova që ajo vajza që u bë ikonë e këtij ndërtimi ta shtypë butonin”, tha Rama.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *