Sot fillon vitit të ri akademik, por nuk pritet që të ketë bojkot të mësimit, pasi prej 3 javësh, pedagogët kanë dalë në protesta, ku kërkojnë rritje pagash dhe përmirësim të kushteve. Sot, pedagogët do të nisin bojkotin. Tubimi i tyre nis prej orës 08:00 deri në orën 10:00 para Universitetit të Arteve, ndërsa pedagogët kanë mirëpritur edhe studentët e vitit të parë që kanë nisur protestën. Ata kërkojnë nga qeveria plotësimin e 9 kërkesave dhe presin që protestës së tyre t’i bashkohen edhe studentët.
I vetmi Universitet që nuk do t’i bashkohet kërkesës së pedagogëve është ai i Mjekësisë. Rektori, Arben Gjata ka deklaruar ditë më parë se universiteti do të nisë procesin mësimor duke u distancuar nga protesta e pedagogëve.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, iu drejtua ditën e djeshme studentëve dhe pedagogëve me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, duke iu rikujtuar se mbështetja e qeverisë edhe për ta do të vijojë pa u ndalur.
Çfarë kërkojnë pedagogët?
-Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës (nuk është plotësuar)
-Rritja e financimit për kërkimin shkencor (nuk është plotësuar)
-Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’ (nuk është plotësuar)
-Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë (nuk është plotësuar)
-Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare (do shqyrtohet)
-Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfierencimit të orës mësimore të leksionit. (do shqyrtohet)
-Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare (do shqyrtohet)
-Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”. (do shqyrtohet)
-Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike. (është rënë dakord)
Sot, rreth 120 mijë studentë priten të nisin vitin e ri akademik 2022-2023, në të dyja ciklet e studimit Bachelor dhe Master. Universiteti i Tiranës ka numrin më të madh të studentëve nga institucionet publiku, me rreth 27% të totalit. I dyti është Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, me 20% të totalit.
Ky vit akademik përkon edhe me protestën e stafeve akademike për rritje të pagave. Ata kërkojnë rritjen e pagës me 30% këtë vit si dhe 20% vitin tjetër si dhe mbështetje financiare për kërkimet shkencore. Qeveria më parë ka propozuar një rritje me 15% ku 7% i mbulon qeveria dhe 8% universitetet, por kjo kundërshtohet nga ata pasi sipas tyre universitetet nuk kanë buxhet për këtë.