Një raketë e një lloji të ri, që do të dyfishonte rrezen e sulmit të Ukrainës në luftën e saj me Rusinë, është përfshirë në paketën më të fundit të ndihmës ushtarake të Uashingtonit për Kievin, prej 2,175 miliardë dollarësh, njoftoi të premten Pentagoni.
Arma e re, me diametër të vogël që lëshohet nga toka (GLSDB), do t’i japë mundësi ushtrisë së Ukrainës të godasë objektivat që ndodhen në dyfishin e distancës së arritshme nga raketat që ka aktualisht në dispozicion Ukraina e që lëshohen nga Sistemi i Raketave të Artilerisë me Lëvizshmëri së Lartë (HIMARS) të furnizuara nga SHBA.
Raketat e reja përshkojnë një distancë prej 151 kilometrash, duke arritur praktikisht deri tek të gjitha linjat e furnizimit të Rusisë në Ukrainën lindore, si dhe një pjesë të Krimesë një territor ukrainas që u aneksua nga Rusia, në vitin 2014. Me mbërritjen në Ukrainë të raketave të reja, kjo do të shënojë për herë të parë për Ukrainën një rritje eksponenciale të gamës së saj me raketa, që nga marrja e sistemeve amerikane HIMARS në fund të qershorit 2022.
Fondet e premtuara amerikane do të përdoren gjithashtu për blerjen e dy njësive të mbrojtjes ajrore HAWK, sistemeve kundër dronëve, kundër-artilerisë dhe radarëve të mbikëqyrjes ajrore, pajisje komunikimi, dronë PUMA dhe furnizimeve mjekësore. Deri tani ndihma e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën që nga fillimi i sulmit rus, arrin në më shumë se 29.3 miliardë dollarë./VOA