Ishte data 4 nëntor 2020, kur shefi i grupit paralamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, lajmëroi se i ishte ngritur një akt-akuzë nga Gjykata Speciale. Pas bastisjes në banesën e tij, u prangos edhe ish-kryeparlamentari i Kovosës, Jakup Krasniqi. Këtu nisi gjithçka, pas akuzave të ngritura për krime lufte. Selimi njihet si një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa ka luajtur dhe rolin e Inspektorit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, tashmë janë të arrestuar dhe ndodhen për gjykim në Gjykatën e Hagës. Sipas akt-akuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe krime kundër njerëzimit, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Ata kanë mohuar të gjitha akuzat, në seancat që janë zhvilluar më herët në këtë gjykatë. Duke lënë pas këtë zhvillim, kujtojmë se sot është një ditë e veçantë për Rexhep Selimin, pasi ai ka ditëlindjen. Ai nuk ndodhet pranë familjes së tij. Selimi ka lindur më 15 Mars 1971 në Aqarevë, Skenderaj.
Sot është 50 vjetori i lindjes së ‘luftëtarit të lirisë’, që këtë ditë e feston në qeli. Rexhep Selimi, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, më herët ka hedhur poshtë të 10 akuzat që rëndojnë ndaj tij për krime lufte.
Ironia e fatit ishte që ai po gjykohet nga një gjykatë për të cilën ka qenë kundër që në fillim për krijimin e saj. Është një gjykatë e ngritur “mbi synimet anti- shqiptare”, tha Selimi, duke shtuar se ka qenë i mendimit se drejtësia duhet të bëhej nga autoritetet e Kosovës, si një shtet i pavarur.
Raportin e Dick Marty, Selimi thotë se nuk është gjë tjetër veçse një ‘hakmarrje’ e Serbisë, pasi Kosova u shpall e pavarur. Për këtë arsye, iu drejtua gjykatësit duke thënë se “beson që qëllimi i tyre është drejtësia, mbi të gjitha e vërteta”, dhe se nuk do mbajnë anën e askund.
Njësoj si ish-presidenti Hashim Thaçi, edhe ai ka ngritur pretendimet se kjo akt-akuzë është e redaktuar, pra që i mungojnë akuzat për “trafik të organeve” dhe për “Shtëpinë e Verdhë”, dy akuzat kryesore për të cilat është ngritur kjo gjykatë. Të padrejta për të, por edhe për luftën e UÇK-së, i ka quajtur Selimi të 10 akuzat, por i bindur se ky proces gjyqësor ndaj tij do e vërtetojë se UÇK-ja nuk ka bërë krime lufte, por ka luftuar për liri.
Ndaj Selimit rëndojnë 10 akuza për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, aktet të tjera ç’njerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje si krim kundër njerëzimit, vrasje e paligjshme si krim lufte, zhdukje me forcë e personave. Më herët përpara Gjykatës Speciale të Hagës kanë dalë ish- kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi, ish- presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, të cilët i kanë mohuar të gjitha akuzat.
Ne të “Priza.al”, urojmë që procesi gjyqësor në Hagë të bëhet sa më shpejtë, që të marrin pafajësi ndaj akuzave absurde. E po kështu mbetemi me shpresë që Rexhep Selimi të kthehet sa më parë pranë bashkëshortes Shqipe Selimi, dhe dy fëmijëve të tyre.