Një ditë me kuratorin/ Nxënësit njihen me objektet muzeore në veprimtarinë

Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë  sot “Një ditë me kuratorin”, me nxënësit e gjimnazit “Ismail Qemali”, të cilët u njohën me artefaktet e pavijonit të persekutimit komunist.

Kjo veprimtari synon bashkëpunimin me shkollat e mesme dhe të larta. Ky bashkëpunim do të sjelli më afër objektin me nxënësit apo studentët. Kuratorët e Muzeut Historik Kombëtar, organizojnë orë të hapura, ku i flasin brezit të ri për punën e tyre të përditshme dhe ndajnë njohuritë e tyre mbi një temë të caktuar.

MHK (Muzeu Historik Kombëtar) shprehet se:

“Një ditë me kuratorin” synon të përforcojë bashkëpunimin e muzeut me publikun e gjerë, të rrisë ndjeshmërinë e brezave të rinj ndaj objekteve muzeore, të evidentojë rolin e kuratorit të një muzeu, si dhe të inkurajojë dialogun me qytetarët mbi historinë e kulturën.

Pavijoni i Genocidit Komunist është çelur në vitin 1996 dhe përfshin ngjarje nga viti 1944-1991. Ky pavijon përmban 136 objekte. Në vitrinat e para të tij jepen fakte, foto e dokumente, që paraqesin krijimin e forcave politike si “Balli Kombëtar” dhe “Legaliteti”. Në vazhdim vizitori njihet me denoncimin e Marrëveshjes së Mukjes nga këto forca nacionaliste.

Vend të gjerë më pas zë pasqyrimi me shumë dokumente e foto i operacioneve të spastrimit të forcave antikomuniste, gjyqi special ndaj kundërshtarëve politikë të kohës së luftës, si dhe likuidimi i opozitës antikomuniste. Në vitrina vizitori njihet gjithashtu me relikte të shumta të personave të dënuar apo të pushkatuar nga regjimi i kohës.

Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *