Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u shpreh mbrëmjen e sotme në “Radarin Informativ” në “ABC” se, hera e fundit që ka folur me zë me Sali Berishën, ka qenë data 9 shtator, kur e pezulloi nga grupi parlamentar dhe se më pas ka pasur vetëm një moment shkëmbimi mesazhesh, ku ish-kryeministri e ka ngushëlluar për humbjen e të atit.
Kryedemokrati tha se, është i hapur për t’u ulur në një tryezë me Sali Berishën me një kusht, që të tërhiqet nga aksioni që ka ndërmarrë dhe akuzat që ka bërë.
Pjesë nga intervista
A do të pranonit një negocim nga PPE për të zgjidhur krizën brenda PD-së?
PPE është partia jonë nënë, në të cilën bëjmë pjesë, është me norma dhe parime që pasqyrohen në statutin tonë, e gjithë beteja është respektimi i këtyre normave. Nuk ka dy palë. Duhet të ketë një premisë. Nuk ka ndarje Basha-Berisha, nuk ka dy palë në PD. Ka një individ që ka një peshë të caktuar historike i cili për interesat e tij po i mbivendoset interesave të demokratëve.
Çfarë do të sakrifikonte Lulzim Basha për bashkimin e PD-së?
Atë që bëra prej momentit të parë, që nuk ju fsheha vendimit më të vështirë të jetës sime politike. Nuk e hodha tutje “topin” e përgjegjësisë se me një anëtar një votë demokratët janë kanë besuar kryetarit të partisë.
Do të uleshe me Berishën?
Nuk kam pasur dhe nuk kam asgjë me Berishën.
A do të kërkonit një takim?
Ta kërkoj unë? Për çfarë… PD nuk shpëtohet nga përçarja duke vendosur interesat personale mbi atë të demokratëve. Në momentin që e ndal këtë, nuk ka absolutisht asnjë pengesë, pasi falë investimit tim është akoma edhe në PD edhe në parlament.
Kur keni folur për herë të fundit me Berishën?
Në 9 shtator.
Asnjë komunikim më pas?
Jo me zë.
Në ç’kuptim?
Çështje private familjare të fatkeqësive familjare, kemi pasur shkëmbime mesazhesh. Ngushëllimesh. Që nuk kanë të bëjnë me situatën në PD.
E përjashtoni mundësinë që të komunikoni në ditët në vazhdim?
Unë komunikoj me këdo dhe cdo demokrat edhe me Sali Berishën nëse komunikimi ju vlen interesave të demokratëve. Nuk jam unë ai që përdor gjuhë linçimi dhe shpik kundërshtarë dhe rikthen kulturën e të linçuarit të mendimit ndryshe. Berisha i detyrohet një apologji demokratëve dhe personave në veçanti, jo mua por njerëzve të zgjedhur nga demokratët dhe për të tjerat pa diskutim kam qenë dhe mbetem njeriu më i hapur në PD.
/Burimi: Abcnews.al/