Rritja e shpejtë e normave të interesit gjatë këtij viti pritet të rrisë gradualisht kostot për pagesa borxhi të subjekteve huamarrëse. Rreziku më i afërt prek atë pjesë të borxhit që është marrë me një normë të ndryshueshme interesi, që zakonisht përbëhet nga indeks reference dhe një marzh fiks sipër këtij indeksi.
Huamarrësi më i madh në ekonomi është vetë qeveria shqiptare, e cila do të jetë që këtë vit e prekur nga kjo rritje e normave. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në mesin e këtij viti, një pjesë e konsiderueshme e borxhit publik, sidomos atij të jashtëm, rezultonte me interes variabël.
Borxhi i jashtëm me interesa të ndryshueshme kishte vlerë totale 2.28 miliardë euro, ose pothuajse 40% të totalit të borxhit të jashtëm publik. Borxhi me interesa të ndryshueshëm u takon kryesisht kredive të marra, ose të garantuara nga qeveria shqiptare nga subjekte të huaja. Indeksi referues ndryshon, në varësi të monedhës së huasë, por në shumicën e rasteve, treguesi është Euribori për kreditë në Euro dhe Libori për ato në Dollar Amerikan.
Për këtë tregues, rritja në muajt e parë të këtij viti është e dukshme. Për shembull, Euribori 12-mujor në mesin e muajit gusht arriti në 1.16%, nga -0.5% që ishte në fund të vitit 2021.
Ndërkohë, borxhi me interesa fikse u takon kryesisht emetimeve të Eurobondeve. Eurobondet janë obligacione afatgjata (emetimi i fundit i nëntorit 2021 kishte maturitet 1-vjeçar) dhe për to, qeveria shqiptare paguan kuponin fiks të përcaktuar në emetim, gjë që do të thotë se në afatin e shkurtër, ato nuk ndikohen nga rritja e normave të interesit.
Për sa i takon borxhit të brendshëm, instrumentet me interesa variabël kanë peshë specifike mjaft të ulët. Në fund të muajit qershor, ato kishin vlerë totale prej 10 miliardë lekësh, ose sa rreth 1.5% e totalit të borxhit të brendshëm. Borxhi i brendshëm me interesa të ndryshueshme ka një peshë të vogël, sepse prej vitesh, Ministria e Financave ka hequr dorë nga emetimi i instrumenteve me interes të ndryshueshëm. Ky komponent prek kryesisht kreditë e garantuara nga qeveria shqiptare në favor të kompanive publike, apo private.
Në portofolin me financim të brendshëm, rreziku kryesor nga rritja e normave të interesit, në fakt, vjen nga borxhi me maturim afatshkurtër. Sipas Ministrisë së Financave, vlera e borxhit të marrë nëpërmjet Bonove të Thesarit kishte vlerën e 199 miliardë lekëve.
Kjo shumë përbën afërsisht 29% të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare. E gjitha kjo vlerë duhet rifinancuar brenda një viti kalendarik, përkatësisht çdo vit për Bonot 12-mujore, dy herë në vit për ato 6-mujore dhe katër herë në vit për ato 3-mujore. Duke qenë se normat e interesit janë në rritje të dukshme, sot çdo instrument i maturuar duhet rifinancuar me yield më të lartë. Kjo do të rrisë gradualisht shpenzimet për interesa dhe në tërësi, koston e shërbimit të borxhit të brendshëm.
Duke llogaritur së bashku borxhin e brendshëm dhe të jashtëm me interesa të ndryshueshëm, si dhe borxhin e brendshëm afatshkurtër, me maturim deri në një vit, rezulton se afërsisht një e treta e stokut të borxhit publik është e ekspozuar ndaj rritjes së normave të interesit. Një rritje me 1 pikë përqindje e interesit mesatar për këtë segment të portofolit do të përkthehej në shpenzime shtesë për interesa për rreth 4.6 miliardë lekë në vit. Në mesin e këtij viti, Shqipëria kishte borxh publik në vlerën e 1.39 trilionë lekëve. Sipas Ministrisë së Financave, kjo shumë është e barasvlefshme me 69.1% të PBB-së së parashikuar për të gjithë vitin 2022.
Rritja e yield-eve, efekt negativ prej 6.2 miliardë lekësh për bankat
Rritja e shpejtë e yield-eve të instrumenteve financiare ka sjellë humbje të konsiderueshme për bankat tregtare në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, rezultati nga instrumentet financiare ka rezultuar negativ në vlerën e 6.2 miliardë lekëve, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kishte qenë pozitiv në vlerën e 1.1 miliardë lekëve. Rezultati nga instrumentet financiare ka prekur vlerën më negative që prej vitit 2018.
Rritja e inflacionit është reflektuar në një pritshmëri për rritje të normave të interesit dhe rritje të yield-eve në tregjet ndërkombëtare që prej tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Për instrumentet në Lek, efektet kanë filluar të ndihen sidomos në tremujorin e dytë të vitit, pasi edhe Banka e Shqipërisë nisi rritjen e normave të interesit. Rritja e yield-eve ndikon në zhvlerësimin e instrumenteve financiare të mbajtura për shitje nga bankat tregtare. Sipas Bankës së Shqipërisë, letrat me vlerë përbëjnë afërsisht 33% të aktiveve totale të sektorit bankar shqiptar.
Mbështetur në standardet e raportimit të Bankës së Shqipërisë, fitimi neto i sektorit bankar për 6-mujorin 2022 kishte vlerën e 6.5 miliardë lekëve, në rënie me 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Efektin kryesor në tkurrjen e ndjeshme të fitimeve e ka dhënë pikërisht rezultati negativ nga instrumentet financiare.
Me përjashtim të instrumenteve financiare, në zërat e tjerë, performanca e sektorit bankar ka rezultuar pozitive. Të ardhurat neto nga interesat arritën vlerën e 24.7 miliardë lekëve, në rritje me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të ardhurat nga komisionet arritën në 7.2 miliardë lekë, në rritje me 17% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, shpenzimet për të provigjionuar kreditë e humbura ishin afërsisht 1.25 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtën vlerë me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Raporti i kredive me probleme në fund të muajit qershor shënoi rënie të lehtë në 5.32%, nga 5.44% në muajin maj dhe 7.12% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Por, nga ana tjetër, bankat rritën edhe shpenzimet e tjera të veprimtarisë me 10%. Me sa duket, efekti i inflacionit ka filluar të reflektohet në shpenzime më të larta të aktivitetit të sektorit. Në veçanti, edhe zëri i shpenzimeve për personelin u rrit me 10%, element që ndoshta tregon presione për rritjen e pagave në sektorin bankar. Këto presione mund të jenë më domethënëse në pozicionet e ulëta, ku sektori ka nisur të përballet me problematikën e sigurimit dhe mbajtjes së fuqisë punëtore.
Në afatin e shkurtër, një cikël i rritjes së interesave ka më shumë të ngjarë të japë një efekt pozitiv në bilancet e bankave. Kjo lidhet kryesisht me faktin që rritja e interesave zakonisht reflektohet më shpejt në krahun e aktiveve, se atë të detyrimeve. Megjithatë, të dhënat e 6-mujorit, të paktën ato që bazohen në standardet e raportimit të Bankës së Shqipërisë, tregojnë se, në fakt, zhvlerësimi i instrumenteve financiare për shkak të rritjes së normave të interesit e ka ulur disi fitimin e sektorit./Monitor