Për rreth dy javë, Ekipi Menaxhues do ta prezantojë draft-statutin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo do të ndodhë në kuadër të dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Paralajmërimi u dha nga kryenegociatorët e dy vendeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, pas takimit të tyre në Bruksel, më 4 prill.
Megjithatë, ende nuk dihet saktësisht se kush e përbën Ekipin Menaxhues, pra kush e ka shkruar statutin për formimin e Asociacionit.
Me gjithë përpjekjet e bëra, Radio Evropa e Lirë nuk arriti t’i marrë nga Qeveria e Kosovës emrat konkretë të personave që përbëjnë këtë ekip.
Bislimi tha më 5 prill për median e Kosovës, Kallxo, se Ekipi Menaxhues përbëhet nga katër persona të komunitetit serb.
“Danijella Vujiçiq është në krye. Dy persona nga ekipi janë të njëjtë, ndërsa dy anëtarë kanë ndryshuar vazhdimisht”, tha ai. Qeveria e Kosovës u pyet nëse anëtarët kanë ndryshuar, por nuk mori përgjigje.
Danijella Vujiçiç është deputete e Kuvendit të Serbisë nga Partia Përparimtare Serbe, e cila ka pushtetin aje. Ajo vjen nga Mitrovica e Veriut – një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Mandati i Ekipit Menaxhues përfundon në momentin kur ai prezanton draftin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Bislimi.
Në vitin 2018, Ekipi Menaxhues hartoi një statut dhe e dorëzoi atë në Bruksel. Por, ai statut nuk u diskutua kurrë, me dijeninë e publikut.
REL-i iu drejtua edhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë me pyetjet se kush e përbën aktualisht Ekipin Menaxhues, a do të prezantohet draft-statuti i vitit 2018 apo është përgatitur një i ri, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Se ka paqartësi rreth prezantimit të draft-statutit, e konfirmoi edhe Bislimi, më 4 prill, në Bruksel./ REL