Një film dokumentar për Vermoshin, plot 55 vite më parë

Ilirian Ballaj

Ai film u xhirua në Vermosh, në muajin korrik 1967, me aksionistët e hapjes së Rrugës së Malësisë së Madhe, studentë e nxënës nga e gjithë Shqipëria, aty tek 4000 vetë, të bazuar në tri qendra, njëra në Rapsh me studentë të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, tjetra në Grabon me studentë nga Tirana dhe e treta në Tamarë me studentë të Institutit Pedagogjik e nxënës të Shkollës së Mesme Zooveterinare Shkodër. Unë isha njëri prej tyre, në Grabon.

Ne punuam, por edhe kontribuam për një film të madh dokumentar, që do të xhirohej, që i kishin vënë paraprakisht titullin ose “Këngë e re për bjeshkët e malësive tona”, ose “Kangë e re për bjeshkët e malcisë”. Në shtator, kur u mbarua puna me xhirimin, ai film u shfaq vetëm një a dy herë dhe pastaj u zhduk. Shumë kishim pyetur pse u hoq nga qarkullimi, natyrisht heshtur, ndënë zë e frikshëm, por asnjëherë nuk e morëm përgjigjen. Mendonim se diçka kishte kundër politikës së kohës, se ishte dënuar regjisori, skenaristi, kinooperatori, por asgjë të saktë nuk morëm vesh.
Të shpërfaqej puna titanike që ishte bërë në ndeshjen me shkëmbin në atë trevë, Vermosh, ku përdorej vetëm mina, leva dhe rrokullisja e gurëve, ku gjysma e djemve lidheshin me litarë për të punuar në pjerrësitë e malit; vlerë do të kishte. Në të fiksohej një vepër e madhe, disa njerëz, të rinj heroikë, të pamposhtur, që punuan me këpucët e tyre gjithë “tolluma” si të Lulit të Vocërr te Migjeni, me pantallona që na i arnonin shoqet e grupit mësimor, që në mbrëmje mbështillnim batanien për trupi sepse ishte ftohtë, të frikur nga që kufirin e kishim 40 metra larg e vetëm Cemi na ndante, këndej ne e andej jugosllavi e që na friknin duke na thënë se do të vijnë natën e të na asgjesojnë prandaj patrulloni mirë.

Por që ne ishim nën ruajtjen edhe të ushtarëve të gjeneral Qazim Kapisyzit, komandant i korpusit të Shkodrës, që na solli në kamp gjithë personelin e turizmit Shkodër, nga që iu ankuam për ushqimin, që bënim mbrëmje, që loznim basketboll e volejboll, bënim not, lëvizje në pyll e në lartësi mes ahesh, që punonim nga gjashtë e mëngjezit e në gjashtë të darkës, që mëngjesin dhe drekën e hanim në fronntin e punës, në gaveta ushtari, që pinim ujin e kristaltë të Cemit e që tërë lodhjen nuk e vinim re aspak e nuk e ndjenim nga mosha e terreni plot oksigjen, apo obligimi që kishim ndaj vendit, detyrës. Ashtu ishin kohët e ashtu bëmë. Dhe e bëmë mirë, madje shumë mirë, dhamë ndihmesën tonë për të afruar Vermoshin me Shkodrën, që për t’u lidhur vajtje ardhje, duheshin katë ditë rrugë në këmbë. Sot nuk kemi as më të voglin pishmanllëk edhe pse nuk u paguam, e po të kishim moshën, edhe sot do të shkonim, ata që jemi, e të bënim atë që bëmë.Ku ka më mirë se t’i shërbesh atdheut tënd, t’i dhurosh një vepër të atillë, aq të madhe, aq të rëndësishme, t’i shërbesh popullit tënd. Dëshiroj të jem atje për të pasur pranë tërë atë dhëmbshuri, tërë atë dashuri që tregonin njerëzit e asaj ane, për ne që punonim në trase. Vinin pleqtë e tymosnin ulur në një gur buzë trasesë dhe tundnin kokën si për të thënë hallall e paçi e madje njëri edhe u shpreh se “e kishte premtue edhe Zogi, por që s’e pat ba, Enveri e vonoi ca, por e bani”.

E aty u xhirua edhe filmi që nuk u shfaq, as dje por as edhe sot, post viteve ’90 të shekullit të kaluar. Në bisedën që kam bërë me të ndjerin kineast brilant Ilia Terpini kur punonte, para 15 vitesh, për një dokumentar për Devollin nën sponsorizimin e të paharruarit Mufit Lulo,ia shpreha këtë shqetësim dhe më tha se filmi u bë, filmi u shfaq fare pak dhe kaq, dhe me sa di tha ai, shkaku, që u hoq, ishte se pas një viti rruga do të mbaronte, do të inagurohej, do të shkonte Enveri atje, sikurse shkoi në Rrapsh, do të takohej me banorët, do të këndohej edhe kënga “erdh Enveri kah M alcia”, dhe Vermoshi, në se do të shpalosej në atë dokummentar, ç’do të mbetej për Zeusin, që do të vinte më pas atje?

Kjo është shumë e pranueshme, dy shpërfaqje do t’ia ulnin madhështinë, e para së dytës, do të ulej edhe madhështia e vizitës, por edhe e vizitorit të madh mbase. U dënua me burg kameramani, më tha Terpini i paharruar, por nuk se ishte ky shkaku, kishte ndodhur edhe me të tjerë fotoreporterë, vazhdoi ai, por që edhe ishin ndaluar edhe jo dokumentarët. Më shumë, më tha, hiqeshin filmat me autor libri, skënaristi dhe kryesisht me heroin që lozte në të. Në këtë film, sugjeroi ai, nuk pati të tilla. Shkaku duhet të ishte filmi që do të bëhej e që u bë më vonë për Vermoshin. Ai film,përfundoi ai, po, për Enverin, është dhe shfaqet edhe sot. E kështu që filmi dokumentat që u xhirua në korrik 1967 me ne, nuk e pa dritën e diellit asnjëherë, as dje, as sot.

Por ka njerëz që kanë punuar në drejtimin e Kinostudios, madje disa, burra e gra, ka patur e ka edhe sot, ka arshivistë, është një arshivë diku mbase tek RTSH që duhet ta dinë, duhet të jenë ndeshur me të, apo nga ata që kanë marrë pjesë në asgjesimin e tij, por edhe këtu ka vend të thuash se një kopje gjithmonë është ruajtur, e në këtë pikë sistemi i shkuar ka qenë shumë i saktë dhe i vëmendshëm, e jo si pas nëntëdhjetës që u asgjesua një pjesë e kujtesës. Pra, të gjendet është dëshira, e në se gjendet të shfaqet, të tregohet se atje është punuar. Unë kam kaluar në rrugën e Malësisë së Madhe, të Vermoshit, kam ndjerë dhimbje, kam ndaluar kudo ku kam punuar, kudo ku kam pirë ujë, ku kam pushuar, ku kam peshkuar, ku kam fjetur, por një memorial të madh për rininë e atyre viteve nuk e kam parë ku të shkruhet se kjo rrugë është vepër e papaguar e rinisë së viteve 1960….vlerë do të kishte. Bota shkruan e ne vetëm tregojmë, bota ruan e ne vetëm hedhim, djegim e asgjesojmë kujtesën tonë. Gjithçka bëhet është produkt i kohës, edhe krijimtaria e librit e filmit,skulpturës, pikturës, ndërtimit. Unë, tha diku shkrimtari i madh Dritëro Agolli, jam produkt i kohës, asgjë nuk i revizionoj veprës sime, ashtu ishin kohët, ashtu veprova.
Ndjek me shumë vëmendje TVSH Shkodra dhe mrekullohem se atje shfaqet estrada e dikurshme plot humor, filma të së kaluarës, bëhen mbrëmje ku kujtohen humoristë, dramaturgë, shkrimtarë, këndohen këngë karakteristike shkodrane, Jare, bën humor Met Selimi, Kolec Pepa, Tano Banushi, Gjesho Vasia, Zef Deda, Zeliha Miloti, e plot të tjerë edhe të mëdhenj, që unë nuk i kujtoj dot tani që shkruaj, dhe duke i ndjekur, të heqin stresin, jam jugor e më shumë ndjek ata, sepse janë plot optimizëm, plot humor, të këndshëm, të hollë, mbajnë gjallë traditën, e pasurojnë atë e më tej. Dhe me të vërtetë thua Shkodra e qejfit, e humorit, e ujdisë, e shakasë, e mërrëveshjes mes vedit, sikurse janë vërtet.

Pra, a duhet hedhur tej, poshtë, krijimtaria artistike,edhe filmi, se është i shkuar? Ai është i shkuar në kohë, por jo në vlera, sepse atje janë gjurmët tona, janë duart tona, është rruga jonë, historia jonë. E kaluara është vetë jeta jonë, të kaluarën e kemi ndënë lëkurë, na ndjek pas si hija, na shlodh, na argëton, por edhe në se është jo e gëzueshme, e kemi nevojën edhe për një kafe të “zezë”, sepse e tillë është e ka qenë jeta, se njeriu, në se nuk do t’i kishte provuar të dyja, nuk do të dallonte të mirën nga jo e mira, dhimbjen nga gëzimi. Të shijon uji se të merr etja, të shijon buka se të ka marrë uria, të kënaq çlodhja se je lodhur, percepton kohën se ndodhin ndryshimet, etj.

Kështu që, e duam të ishte atë film, që u xhirua në Vermosh në vitin 1967 me titull ”Këngë e re për bjeshkët e malësisë”, sepse jemi ne atje, është e kaluara jonë, është puna jonë, janë njerëzit tanë, është vepra që bëmë e që tash është kthyer në një atraksion turistik veror e dimëror, madje me një frekuentim shumë të lartë. Kujtoj ato ditë kur natën më dhembin kockat nga mosha, dhe më zë gjumi. Në se në hekurudhë, në ato vite, u punua me bel, lopatë e kazmë, në Vermosh u punua direkt në shkëmb varur me litarë, me levë, me vare, e në se traseja e hekurudhave edhe është bjerrë, mbase edhe rrëzuar, traseja e rrugës së Vermoshit zor se është ulur ndonjë milimetër, sepse është ngritur direkt mbi shkëmbin e ngrënë me mjete të forta. Tash që ajo është asfaltuar e me vepra arti edhe lugina duket më e gjerë, malet e lumi aty janë si dikur, por ajo rrugë e rrit hapësirën, e zbukoron luginën, malin, Cemin e akullt ku peshkonim troftë me mizë kali. Tërë vlerat janë aty, zonë epike, me njerëz epikë, të shëndetshëm, tërë jetë e prosperitet. Janë bukuri më vetë ballkoni i Rrapshit, kthesat e Leqeve të Hotit, Cemi, malet, Ura e Tamarës, katarakti, vetë lugina, shtëpitë, njerëzit e saj. :Punuam atje rreth 4000 vetë e asnjëri atë vit nuk u gërvisht, edhe në një rast që u shëmb mali në Rrapsh e zbriti në Cem, ne ishin shpatit të tij, u strehuam guvave e asnjeri nuk pësoi gjë, na ruajti mbase edhe zoti, pot ë gjithë shpëtuam, vetëm një mushkë karvani që sillte miellin e bukës sonë u rrëzua në një humverë se thasët iu fërkuan për një shkëmbi. Ajo fluturoi në ajër, rreth 30 metra poshtë e ne shkuam, rrugë pa rrugë, duke u rrezikuar, e varrosëm si të ishte njeri, e mbuluam edhe me gjethe të njoma si për freski e rehati, ngritëm edhe një muranë me gurë pranë saj si për ta kujtuar kush të kalonte, dhe u ngulëm në shesh rreth saj e kush pati e ndezi edhe një cigare,… e shumë derdhën edhe pika loti. Po.Po, kështu vërtet.

Do të dëshiroja, që dikush që e ka mundësinë ekonomike, të na mblidhte një ditë e të na hidhte atje, në Vermoshin e punës sonë, aq sa jemi, mbase jot ë gjithë, sepse nuk besoj se jemi shumë, pa të flinim edhe një natë e të kujtonim ç’kishim bërë. Në Greqinë e lashtë, herët, shumë herët, por edhe sot mbase, praktikohet një rit, vihen pleqtë në mes e rinia përreth këndon e kërcen, e kjo quhet “festa e rinimit”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *