Nga Nikoleta Kovaçi
“Nuk ka njeri të keq; ka vetëm njeri që nuk e ka njohur dashurinë”! Kjo ishte fraza që padër Alessandro nisi predikimin në një meshë të pazakontë në Kishën e Sh’Llezhdrit të Spitenit, në ditën e festës së Shën Aleksandrit, në 13 majin e çdo vitshëm, në ditë-netët e një feste që duket që iu përket vetëm mirditasve!
Kori melodioz që kumbon dhe kulmon me “Ati ynë që je në qiell…” të ndjell në një tis hyjnor, ku retë janë ma afër sesa toka e njëtrajtshme me detin! Brenda Kishës gjendet Fjala e Zotit, ajo për të cilën besimtarët e saj kanë ‘braktis’ fshatin e tyne, Spiten, kanë lanë shtëpitë bosh e janë ngjit maje mali të jenë mes Shën Mhillit rojtar e Shën Aleksandrit martir. E duan këtë ditë si atë ditën që e besojnë se asht vetëm e tyre!
Asht dita-data e përhershme kur spitanakët kanë kthye e kthejnë krejt brendinë e tyne drejt asaj Kishe, edhe në kohën kur aty ishin vetëm rrënoja; edhe në kohën ku ndoshta kishin frikë ta kthenin vështrimin nga maja ku dinamiti i diktaturës hodhi në erë një prej kryeveprave tona 700 vjeçare! Ata e dinin se aty nuk do t`ishte e mundun me u fshi krejt Gjurmët… edhe sikur të zhdukeshin krejt gurët, prapëseprapë aty kishte me mbet` nji Gur, që ma vonë do tu shërbente për themelin e vazhdimsisë… Atë themelin që sot asht prapë Kishë, asht prapë tempull, asht prapë besim…
Kisha e rindërtueme…
Kur dëgjon historikun e ringritjes së kësaj Kishe, ndalesh e mendon: A ka ndonjë gja` që nuk mundet me e ringrit besimi, vullneti dhe dashuria?! Banorët e Spitenit bashkë me priftin siçilian, që shërben në vendin tonë janë ba bashkë për të kthye në identitetin e merituem Kishën kryelartë, që qëndronte për shekuj me radhë si ëngjëll mbrojtës për një pjesë të mirë të Arbnisë, Shqipnisë.
Nga Kepi i Rodonit e deri në Ulqin, Kisha e Shën Aleksandrit bani rojë historike e shpirtërore mbi Lezhë e krejt zonat që lag Adriatiku përballë saj. Në `67-n, në vitin e rrënimit të thelbit të qenies sonë, edhe Kisha e Sh`Llezhdrit do të goditej nga mizoria që ende gjallon ndër ne! U hodh në erë po gurët dhe forca e saj mbeten aty; të paprekuna sod e asaj dite, siç asht kanë e ka me kanë…
… Banorët e Spitenit janë ba bashkë e kanë nis rindërtimin prej 2008-s. Ashtu të vetëm, pa mbështetjen e kërkujt tjetër veç një prifti, ata kanë vendos mos me e braktis Sh’Llezhdrin, Shën Aleksandrin, Shën Mhillin! Por me i ba bashkë nan vështrimin e Jezusit! Ia kanë arrit.
Ndonëse një rrugë krejt e papërshtatshme për të qarkullu në kushte normale, banorët e këtij fshati kanë ndërhy edhe te rruga, tek ajo për të cilën shteti lëvron e deklaron miliona Euro, herë si premtim fushate e herë si humbamendje për përvetësim të tenderave të majmë!
Kisha asht rindërtue. Një djalë, banor i fshatit Spiten asht vetofru. Ka hedh investimin ma të madh, e krah tij kanë ndihmue e investue i madh e i vogël, të gjitha ata që e kanë besue dhe e besojnë ndjesinë e mrekullueshme që ka transmetue në shekuj ajo Kishë!
S`asht përfundue krejtësisht! Ka edhe ma shumë me u ba, siç ka edhe ma shumë nevojë me investue! Banorët e Spitenit janë të gatshëm me sa munden! Kanë gjet secili formën e vet me kanë e pranishëm në atë ringritje si ringjallje të kultit të pathyeshmërisë.
Sigurisht që aty nuk ndihmojnë pasanikët që blejnë vota, që blejnë pushtete, që blejnë edhe pjesë të patundshme të shtetit! Madje nuk investojnë as ata që ndihmojnë blerësit e votës, tjetërsuesit e votës, vjedhësit e votës! Ata heshtin! Ndoshta kanë drojë me kthye kryet nga ajo majë mali sepse nga aty i vërbon drita e Kryqit të naltë, që rrezaton dritën e Hyjit, atij Hyji që blerësit e votës i kërkojnë shpagim për mëkatet!
Kisha e Spitenit, historia që iu fton…
Daton diku mes viteve 1200-1300! Dokumentet flasin se aty ka qenë edhe një manastir. Madje daton 1402-n! Rrënojat e shumta që gjenden në atë hapësirë toke dëshmojnë për mure të mëdha rrethuese të manastirit që thuhet se janë përdorur për të mbrojtur Kishën dhe Qelën.
Historia jonë ka pak fakte për këtë vend të shenjtë, ashtu siç ka pak fakte për historinë e saj. Vatikani na e ruan këtë Kishë, siç na ruan një pjesë të mirë të tonën që e kena rrënu vetë në mënyrë barbare… ashtu siç na ruajnë edhe me dhjetëra vende të tjera të botës, sigurisht veç nesh që historinë na e shkruajnë teserat e partisë…
Prulli, fshati i braktisun sod ishte i mbipopulluem! Veç banorëve të Spitenit aty ishin ftue edhe miq, edhe njerëz të afërt me spitanakët, edhe kushdo që e di dhe e do praninë e atij tempulli! Ndoshta edhe ata që s`e duan, që duan ta duan por e kanë të pamundun, për shkak të ngatërrimeve që iu kanë ndodh në përpjekjen e tyne me qenë vendimarrës!
Ata ndoshta nuk e njohin versionin real të jetës së Shën Aleksandrit, madje edhe jetën real të Gjergj Kastriotit e njohin me orientim andej nga vjen fryma e pushtetit, edhe Lekën e njohin siç ua do pozicionin në të cilin gjenden me pushtetin… edhe Atë Gjergjin e njohin nëpërmjet derigjimeve që marrin prej atyne që janë ngjit te kulti i nji-shit dhe nuk pranojnë t`largohen prej aty!
Prulli sod ishte përplot me besimtarë, me njerëz që dashurinë e kanë ushqimin e përjetshëm! Livadhet ishin përplot me fëmijë e të rritun që ndërronin rolet, ndërsa pylli në ato copëza të panumërta fushash të vogla të ftonte të rrije kamëkryq në magjinë e jeshiles së shpresës…
Kisha e Sh`Llezhdrit, me Jezusin, Shën Mhillin e Shën Aleksandrin, me Spitenin e Prullin e spitanakët janë përherë aty! Na presin të shkojmë e të rrimë sa të duam me ta! Ata premtojnë qetësinë, paqen e dashurinë, ne na duhet vetëm dëshira me i njoftë e me kuvendue me ta…
/Marrë nga profili i Facebook/