Prokuroria po tenton të zbërthejë “puzzle-in” mbi zhdukjen e Ervis Martinajt që prej fillimit të këtij muaji, ndërkohë që të dhënat e siguruara nga dëshmitë e personave të fundit që kanë patur kontakt me të janë të vakëta.
Së fundmi prokuroria ka marrë në pyetje një vajzë 22-vjeçare që ka pranuar se kishte fjetur një natë me Ervis Martinajn në një hotel me 5 yje në Durrës. Në dëshminë e saj, vajza, një ish-miss, thekson se që prej 7 gushtit nuk ka patur më kontakt me të dashurin e saj, Ervis Martinajn duke shtuar se kishte pyetur te personat që kishin lidhje me të shumë kërkuarin e drejtësisë, por edhe ata i janë shprehur se nuk e dinin ku ndodhej.
U raportua më herët se pasi u fiksua nga kamerat e sigurisë në hotelin me 5 yje ku kishte kaluar një natë me missin e njohur, makina që lëvizte Martinajn është fiksuar edhe nga disa kamera në qytetin e Durrësit, por më pas ai automjet nuk është parë më nëpër rrugët e qytetit.
Martinaj rezulton të jetë parë ato ditë pas Durrësit edhe një herë në Tiranë dhe pastaj nuk ka më asnjë shenjë të tij. Zhdukja e Martinajt është kthyer në një mister të madh, ndërsa duket se çelësi i të gjithë kësaj historie është Efektivi i Forcave Operacionale Jeton Lami, i cili nuk është zbërthyer ende duke dhënë detaje të cunguara mbi lëvizjet e Martinajt në ditët e para të gushtit, pas të cilave më pas nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Prokuroria po heton në dy linja sa i përket këtij fakti: Linja e parë lidhet me gjetjen nga kundërshtarët pasi është tradhtuar nga njerëzit e tij dhe mundësinë e vrasjes së Martinajt prej tyre, kurse linja e dytë lidhet me një vetëzhdukje të tij për t’i shpëtuar edhe policisë, por edhe kundërshtarëve, të cilët kohët e fundit i ishin afruar shumë.
Kujtojmë se vetëm pak javë më parë, në mbikalimin pranë Fushë Krujës u ekzekutuan tre persona, njerëz të rrethit të Ervis Martinajt, ku njëri prej tyre ishte djali i xhaxhait të tij, Brilanti. Në të dyja këto pista, prokuroria dyshon se Lami nuk po thotë gjithçka di. Madje, ka dyshime se ky në çdo rast, ky efektiv i Forcave Operacionale të jetë në dijeni si në rastin e mundshëm të kapjes së Martinajt prej kundërshtarëve ashtu edhe nëse është zhdukur vetë.
Denoncimi
Në fillim të gushtit ishte xhaxhai i tij dhe nëna që shkuan në komisariatin e Policisë së Kurbinit duke kërkuar nga policia t’i gjenin të afërmin pasi sipas tyre nuk kishin patur kontakt prej disa ditësh. Ata theksuan në polici se mungesa e kontaktit nga Martinaj ishte konstatuar nga një kushëriri i tyre me banim në Dubai. Ai u kishte thënë se nuk fliste prej disa ditësh me Ervis Martinajn.
Pas këtij denoncimi u shtua edhe më tepër dyshimi mbi fatin e tij si edhe zhvillimet e bujshme në fushën e kriminalitetit. Ky denoncim përkon me periudhën kur në Laç iu bë atentat dy personazheve të tjerë, të njohur si persona të grupit të Martinajt. Madje, makina e përdorur prej tyre, një Toyota Land Cruiser e blinduar ishte përdorur shumë shpesh nga Ervis Martinaj duke shtuar dyshimet se objekt i atentatit të Laçit ishte pikërisht ai.
Vrasjet e bujshme
Emri i Ervis Martinajt do të përflitej për herë të parë publikisht pas vrasjes së Elvis Doçit në vitin 2013 në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Gjithçka ndodhi pas operacionit “Fundi i Marrëzisë” ku në vitin 2013 u vendos bllokimi i lojërave të fatit. Prokuroria dyshoi atëhere se vrasja e ndodhur pak javë më pas në zonën e Komunës së Parisit kishte lidhje me këtë operacion dhe një ndër të dyshuarit ishte pikërisht Martinaj.
“Stacioni” tjetër i bujshëm i Martinajt ishte edhe vrasja e Enton Nikës në Linzë në tetor të vitit 2015. Martinaj ishte i shoqëruar nga Mirsad Kuçana, Emiljano Tasho dhe Bujar Hasani. Pas një debat verbal dhe grushteve, personat që shoqëronin Martinajn qëllojnë ndaj Nikës duke e lënë të vdekur në vend.
Ngjarja tjetër e bujshme ishte masakra e tetorit 2018 në ish-Bllok ku Martinaj u plagos në qafë, ndërkohë që mbeti i vrarë një prej personave që e shoqëronin atë, Fabian Gaccaj. Gjithçka ndodhi pas një sherri me Ervin Matën ku i pranishëm ishte edhe ish-ushtari i Forcave Speciale BOS, Merviol Billo. Ky i fundit është ende në arrati.
Që prej kësaj periudhe, Ervis Martinajt i janë vrarë një numër i madh personazhesh që njiheshin si “njerëzit e tij”./abc