Një përcaktim për secilin nga 65 ministrat e brendshëm në historinë 111-vjeçare të shtetit shqiptar, nga Mufid Libohova te Taulant Balla, për çfarë mbahen mend

‘OLD, BUT GOLD’ nga ROLAND QAFOKU

Taulant Balla do jetë ministri i 65-të i Brendshëm në historinë e shtetit shqiptar që këtë vit mbush 111 vjet. Ndërkohë që Bledi Çuçi u shkarkua nga kryeministri Edi Rama nga detyra në krye të këtij dikasteri pas ngjarjes së Fushë-Krujës pak a shumë siç i ka ndjekur fati i keq i çdo paraardhësi. Por për çfarë mbahen mend ministrat e brendshëm? Për priza.al po japim për secilin nga një përcaktim, vlerësim, apo përkufizim, për atë që ata kanë lënë gjurmë në histori.

1. MUFID LIBOHOVA, (DHJETOR 1912-KORRIK 1913), (GUSHT 1919-JANAR
1920)
Ministri i parë i Brendshëm në qeverinë e Ismail Qemalit që menaxhonte një territor vetëm 40 kilometra katrorë.

2. ESAD PASHË TOPTANI, (KORRIK 1913-GUSHT 1913) (MARS 1914-MAJ 1914)
Dy herë ministër i Brendshëm ishin të mjaftueshme për të bërë aq zullume saqë me anë të makinacioneve u bë kryeministër.

3. HASAN PRISHTINA, (SHTATOR 1913-NËNTOR 1913)

Dy muaj ministër i Brendshëm në qeverinë e Ismail Qemalit dhe dy javë kryeministër treguan se ishte e thënë që ndonëse me kontribute të mëdha për formimin e shtetit shqiptar të mos kishte fatin të punonte shumë në ekzekutiv.

4. FEJZI ALIZOTI, (NËNTOR 1913-MARS 1914)
Pak kohë si ministër i Brendshëm kuptoi se sa e egër është politika në Shqipëri, nga e cila e pësoi vetë në vitin 1945, duke u pushkatuar me nismën e një prej pasardhësve të tij.

5. AQIF BIÇAKU, (MAJ 1914-SHTATOR 1914)
Mbiemër i madh në historinë e Shqipërisë por që pikërisht prej detyrës si ministër i Brendshëm iu rrethua shtëpia dhe u detyrua të largohej nga Shqipëria.

6. SHAHIN DINO, (TETOT 1914-JANAR 1916)
Ministër i Brendshëm në një kohë të vështirë që nuk mund të bëhej fjalë për rend, siguri dhe ligj.

7. MEHDI FRASHËRI, (DHJETOR 1918-GUSHT 1919) (JANAR 1921-10 KORRIK
1921)
Dy herë për pak kohë si ministër i Brendshëm për t’u bërë më pas kryeministër, nga më të mirët në historinë e shtetit shqiptar.

8. AHMET ZOGU, (JANAR 1920-NËNTOR 1920) (DHJETOR 1921-MARS 1923)
Ministri i Brendshëm që pati guximin të shpallte vetë Tiranën si kryeqytet pa marrë Kongresi i Lushnjes një vendim, ndërkohë që ishte kjo detyrë që bëri që oreksi i tij në politikë të rritej duke u bërë më pas kryeministër, president dhe më pas mbret.

9. XHAFERR YPI, (NËNTOR 1920-JANAR 1921)
Ministër i Brendshëm që i hapi rrugë karrierës në politikë nga e cila arriti të bëhej kryeministër dhe një nga figurat më të rëndësishme në Shqipëri.

10. SULEJMAN DELVINA, (KORRIK 1921-TETOR 1921)
Të gjithë politikanët e sukseshëm e kanë nisur karrierën nga ministër i Brendshëm në
kryeministër, ndërsa Sulejman Delvina nga kryeministër në Ministër i Brendshëm.

11. BAJRAM FEVZIU, (TETOR 1921-DHJETOR 1921)
Ministër i Brendshëm që nuk u kuptua shumë që ishte mbështetës i Ahmet Zogut apo i Fan Nolit.

12. LUIGJ GURAKUQI, (6 DHJETOR 1921-12 DHJETOR 1921)
Ministri i Brendshëm më erudit, më romantik dhe më me kontibute në shtetformimin por edhe në artin dhe kulturën e Shqipërisë.

13. RAUF FICO, (12 DHJETOR 1921-24 DHJETOR 1921) (MARS 1930-SHTATOR
1930)
Një ministër diplomat i klasit të parë që u bë habitshëm ministër i Brendshëm dy herë në
periudhë të shkurtër dhe po habitshëm u largua nga kjo detyrë.

14. SEJFI VLLAMASI, (DHJETOR 1923-MARS 1924)

Ministri i Brendshëm më i butë i viteve më të egra të politikës shqiptare.

15. SHEFQET VËRLACI, (MARS 1924-MAJ 1924)
Ministër i Brendshëm që ndoqi rregullin sipas të cilit më pas u bë kryeministër dhe më pas fare pësoi të gjitha përndjekjet e mundshme.

16. ABDURRAHMAN DIBRA, (MARS 1924-QERSHOR 1924) (SHKURT1927-MAJ
1928)
Ministër i Brendshëm kalimtar i një kohe kalimtare kur qeveritë binin si gjethet e vjeshtës.

17. REXHEP SHALA, (QERSHOR 1924-DHJETOR 1924)
Do mbahet mend që pas vrasjes së dy miliarderëve amerikanë në Mamarras në 1924, propozoi të internonte të gjithë banorët e fshatit si përgjegjëse për këtë krim të rëndë.

18. KOSTAQ KOTTA, (SHKURT 1925-PRILL 1925) (MAJ 1928-MARS 1930)
Ministri i Brenshëm që inaguroi ndërtimin e burgut të Burrelit dhe që u burgos aty dhe po aty u vdiq në mënyrë shtazarake nën tortura.

19. CENO KRYEZIU, (PRILL 1925-SHTATOR 1925)
Ministër i Brendshëm që mësoi shumë, u informua shumë, u fuqizua shumë aq sa dy vjet
më vonë u vra në një atentat në Pragë.

20. MUSA JUKA, (SHTATOR 1925-SHKURT 1927) (NËNTOR 1930-TETOR 1935)
(NËNTOR 1936-PRILL 1939)
Ministër i Brendshëm si identiteti gjatë kohës së Mbretërisë së Zog I. Ndonëse u largua më 6 prill 1939 nga Shqipëria u shpall kriminel lufte nga komunistët.

21. ETHEM TOTO, (TETOR 1935-NËNTOR 1936)
Ministër i Brendshëm që drejtoi një kryengritje ndaj mbreti Zog I dhe për të mos rënë në dorë të forcave të xhandarmërisë vrau veten.

22. ZEF KADARJA, (8 PRILL 1939-12 PRILL 1939)
Mjaftuan 4 ditë ministër i Brendshëm për ta cilësuar kriminel lufte dhe të pushkatonin.

23. MALIQ BUSHATI, (PRILL 1939-DHJETOR 1941)
Ministër i Brendshëm dhe më pas kryeministër për të cilën u pushkatua ndër të parët
kundërshtarë të regjimit komunist dhe që nuk i janë gjetur ende eshtrat.

24. MUSTAFA KRUJA, (DHJETOR 1941-JANAR 1943)
Një nga ministrat e Brendshëm më të kulturuar që më pas u bë edhe kryeministër por që
pikërisht për këto detyra u dënua në mungesë me vdekje.

25. EQREM LIBOHOVA, (18 JANAR 1943-23 JANAR 1943)

Pesë ditë ministër i Brendshëm nuk ishin asgjë në karrierën e tij në të cilën kishte qenë
kryeministër, disa herë ministër por i akuzuar si abuzues me fondet e shtetit dhe që nuk ka as varr.

26. FIQIRI DINE, (JANAR 1943-SHKURT 1943) (KORRIK 1944-GUSHT 1944)
Ministri i Brendshëm që nxirrte nga burgu komunistët pasi i luteshin ti falte, ndërkohë që pas luftës po komunistët e shpallën kriminel lufte dhe e dënuan me vdekje në mungesë.

27. MARK GJON MARKAJ, (SHKURT1943-PRILL 1943)
Ministri i Brendshëm më antinkomunist në historinë e shtetit shqiptar që u vra nga komunistët gjatë një përpjekjes për ta arrestuar pas Luftës së Dytë Botërore.

28. KOL BIBË MIRAKAJ, (MAJ 1943-SHTATOR 1943)
Ministri Brendshëm që mbrojti hebrejtë duke rrezikuar jetën e vetë, por që pas luftës u pushkatua nga komunistët në gjyqin special.

29. XHAFERR DEVA, (NËNTOR 1943-QERSHOR 1944)
Ministri i Brendshëm që mban mbi supe masakrën e 4 shkurtit 1944 në Tiranë, një nga ngjarjet më të rënda ndaj popullsisë civile gjatë Luftës së Dytë Botërore.

30. IBRAHIM BIÇAKU, (SHTATOR 1944-TETOR 1944)
Ministër i Brendshëm që bashkë me detyrën e kryeministrit pati fatin e keq i ushtronte në fund të luftës së Dytë Botërore, por që për të cilat bëri 20 vjet burg dhe vdiq si pastrues i banjove të qytetit të Elbasanit.

31. HAXHI LLESHI, (TETOR 1944-MARS 1946)
Ministri i Brendshëm në periudhën e terrorit komunist të sapo ardhur në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore.

32. KOÇI XOXE, (MARS 1946-TETOR 1948)
Ministri i Brendshëm që përdori metodat më të rënda nga kundërshtarëve të regjimit komunist dhe përfundoi edhe vetë nën të njëjtat mënyra duke u cilësuar armik.

33. NESTI KERËNXHI, (TETOR 1948-NËNTOR 1948)
Një muaj ministër i Brendshëm ishin stërvitje për të drejtuar Sigurimin e Shtetit, armën që vrau, burgosi dhe përndoqi 100 mijë shqiptarë gjatë regjimit komunist.

34. MEHMET SHEHU, (NËNTOR 1948-KORRIK 1954)
Ministër i Brendshëm që bashkë me detyrën e kryeministrit arriti të ishte bashkhartues dhe
ekzekutues i regjimit komunist që i solli aq vuajtje Shqipërisë.

35. KADRI HAZBIU, (KORRIK 1954-DHJETOR 1979)
Për 25 vjet në këtë detyrë, ai ishte identiteti i regjimit komunist si ministër i Brendshëm duke qenë bashkëautor, bashkëhartues dhe bashkëidues i regjimit komunist bashkë me Enver Hoxhën por që në fund u pushkatua me të njëjtat metoda si të gjithë kundërshtarët.

36. FEÇORR SHEHU, (PRILL 1980-JANAR 1982)
Ministri i Brendshëm më brutal në historinë e shtetit shqiptar. Sadist për nga metodat që
përdorte, deri përdhunime, por që sipas rregullit edhe vetë përfundoi i vdekur me të njëjtat
metoda.

37. HEKURAN ISAJ, (KORRIK1982-SHKURT 1989) (KORRIK 1990-SHKURT 1991)
Ministër i Brendshëm që ndonëse vijoi ti shërbente regjimit komunist nuk u shqua për të njëjtat metoda të egra si parardhësit e tij.

38. SIMON STEFANI, (SHKURT 1989-KORRIK 1990)
Pa asnjë lidhje me detyrën dhe me paaftësinë e një përfaqësuesi në fund të regjimit nuk pati  ndonjë vlerë reale.

39. GRAMOZ RUÇI, (SHKURT 1991-MAJ 1991)
Ministri i parë pas rrëzimit të komunizmit që pa të drejtë e quajnë ministri i fundit i regjimit
komunist. I vetmi që është përballur në gjykatë me kundërshtarët politikë si i akuzuar për ngjarjet e 2 prillit 1991 në Shkodër por që nuk ia vërtetuan kurrë këto akuza.

40. HAJREDIN SHYTI, (MAJ 1991-QERSHOR 1991)
Për një muaj në detyrën e ministrit u akuza sikur të kishte qendruar sa Kadri Hazbiu.

41. BAJRAM YZEIRAJ, (QERSHOR 1991-DHJETOR 1991)
Një nga profesionistët më të mirë të policisë që drejtoi këtë dikaster në periudhën më të vështirë.

42. VLADIMIR HYSI, (DHJETOR 1991-PRILL 1992)
Profesionisti i fundit i policisë që punoi në krye të ministrisë së Brendshme.

43. BASHKIM KOPLIKU, (PRILL 1992-PRILL 1993)
Politikani i parë i opozitës që u bë ministër i Brendshëm, ndonëse qëndroi për një periudhë të shkurtër.

44. AGRON MUSARAJ, (PRILL 1993-KORRIK 1996)
Ndonëse një dikaster me shumë probleme, ai ishte ministri i Brendshëm që pati meritën
duke qëndruar larg shërbimit sekret SHIK për shumë ngjarje që e turpëronin pushtetin e asaj kohe.

45. HALIT SHAMATA, (KORRIK 1996-MARS 1997)
Poeti që u bë Ministër i Brendshëm në periudhën më të vështirë dhe më delikate të vendit pas rrëzimit të komunzimit dhe mori pa të drejtë mbi supe akuza politike dhe juridike deri në arrestimin e tij për ngjarjet e marsit 1997.

46. BELUL ÇELO, (MARS 1997-KORRIK 1997)

Ministër i Brendshëm që u largua për të mos u rënë preh e një kryqëzate, nga e cila ai nuk ishte përgjegjës për tu bërë i tillë.

47. ALI KAZAZI, (4 KORRIK 1997-25 KORRIK 1997)
Për 21 ditë ministër i Brendshëm ishte kalimtar në një post kalimtar të një qeverie kalimtare.

48. NERITAN CEKA, (KORRIK 1997-PRILL 1998)
Arkeologu që u bë ministër i Brendshëm, detyrë për të cilën më shumë vlen sa më shumë kohë kalon. Pati meritë në politikën që ndoqi për rivendosjen e rendit pas rënies së shtetit në vitin 1997.

49. PERIKLI TETA, (PRILL 1998-SHTATOR 1998)
Ministri i vetëm i Brendshëm që për një ngjarje të rëndë si ajo e 14 shtatorit 1998 deklaroi
publikisht se u la dhe u rrua për të qenë i gatshëm edhe për të vdekur në krye të detyrës.

50. PETRO KOÇI, (TETOR 1998-MAJ 1999)
Ministri i Brendshëm më i ndershëm i të gjitha kohrave, veçanërisht në kohën kur abuzimi
me pushtetin ishte kthyer në normalitet. Dhe për këtë ndershmëri u shkarkua nga kryeministri Pandeli Majko.

51. SPARTAK POÇI, (MAJ 1999-NËNTOR 2000)
Ministri i Brendshëm që ka meritën për politikën e ndjekur në luftë ndaj bandave kriminanle, nga e cila mori koston duke u larguar nga ai post sapo arriti këtë sukses.

52. ILIR GJONI, (NËNTOR 2000-JANAR 2002)

Diplomati dhe gazetari që i dha fytyrë paqësore ministrisë së Brendshme.

53. STEFAN ÇIPA, (SHKURT 2002-KORRIK 2002)
Ministri i Brendshëm që qendroi shumë pak për të lënë ndonjë gjurmë.

54. LUAN RAMA, (KORRIK 2002-TETOR 2003)
Ministri i Brendshëm që erdhi nga gazetaria, por u largua nga detyra kur si ministër goditi një gazetar.

55. IGLI TOSKA,(DHEJTOR 2003-SHTATOR 2005)
Ministri i Brendshëm që do mbahet mend për dorën e fortë në vendosjen e rendit në rend, por që u bë lajm kur deklaroi se i kishin vjedhur votat gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005.

56. SOKOL OLLDASHI, (SHTATOR 2005-JANAR 2007)
Ministri i Brendshëm që e ndihmoi të rritej shumë në karrierën politike me aftësi të tilla që nëse nuk do ti ndërpritej jeta në moshë shumë të re mund të ishte një nga politikanët më të rëndësishëm në Shqipëri.

57. BUJAR NISHANI, (MARS 2007-SHTATOR 2009) (PRILL 2011-QERSHOR 2012)
Ministri i Brendshëm më me integritet që ka njohur ai dikaster dhe që nga suksesi që pati aty u bë president i Republikës.

58. LULZIM BASHA, (SHTATOR 2009-PRILL 2011)

Ministër i Brendshëm që u akuza për vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar 2011, por ironi në fakt i shërbeu si të ishte një dekoratë për ngjitjen e tij të pamerituar në karrierën e lartë politike.

59. FLAMUR NOKA, (KORRIK 2012-MARS 2013)
Ministri i fundit i pushtetit të PD që mori kostot e konsumimit të pushtetit të kësaj partie.

60. SAIMIR TAHIRI, (11 SHTATOR 2013-11 MARS 2017)
Ministri i Brendshëm i vetmi në këto 33 vjet që është dënuar me burg për detyrën e ushtruar si drejtues i këtij dikasteri.

61. FATMIR XHAFA, (23 MARS 2017-22 MAJ 2017) (12 SHTATOR 2017-27 tetor
2018)
Ministri i Brendshëm që u përplas direkt me kryeministrin dhe që nga opozita mori si dhuratë manipulimin e një audio të aktruar nga personazhe të paguar dhe që në fund dha dorëheqjen për vëllain e kërkuar në Itali.

62. DRITAN DEMIRAJ, (22 MAj 2017-12 SHTATOR 2017)

Me 3 muaj e 21 ditë në detyrë, Dritan Demiraj tregoi korrektësi për aq kohë dhe mundësi kishte ta ushtronte këtë detyrë kalimtare të paracaktuar në kohë.

63. SANDËR LLESHI, (TETOR 2018-DHJETOR 2020)
Gjenerali që drejtoi ministrinë e Brendshme e akuzuan vetëm për një gjë: Ishte korrekt si
ushtarak. Një akuzë që vetëm në Shqipëri mund të ndodhë.

64. BLEDI ÇUÇI, (DHJETOR 2020-KORRIK 2023)
Ministri i Brendshëm më i distancuar nga policia në këto 33 vjet por që nuk i shpëtoi pasojave duke u shkarkuar pas ngjarjes në Fushë-Krujë ku u rrahën vëllezërit Maja nga fisi Rraja.

65. TAULANT BALLA, (KORRIK 2023 E NË VIJIM)
A do ta ndjekë Taulant Ballën mallkimi i postit të ministrit të Brendshëm? Ndonëse ka
eksperiencën si politikan vështirë se mund ti shpëtojë intrigave dhe kalkulimeve nga brenda PS-së dhe nga opozita, veçanërisht nga të parët.

 

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *