Për 5 ditë u mbajt në Prishtinë festivali i filmit ‘Pri Film Fest’. Këtë vit ky eveniment kulturor ishte ndryshe pasi themeluesja e tij, Vjosa Berisha, ndërroi jetë në 23 qershor të këtij viti.
Kështu, ky edicion i festivalit iu kushtua asaj dhe mori emrin “Vjosa Forever PriFest” (përgjithmonë Vjosa”). “Ishte shumë vështirë. Nuk e di se si ia dolëm. Jo vetëm ajo mungesa emocionale, por ajo ka qenë një lloj lokomotive që na tërhiqte. Energjia jonë na mbajti që ta vazhdojmë këtë festival për nder të saj. I gjithë festivali është në nder të saj, dhe slogani i festivalit do të jetë ‘Përgjithmonë Vjosa” – tha regjisori Fatos Berisha për mediat.
Çmimi kryesor i festivalit që quhet “Hyjnesha e Kuqe” këtë vit për nder të themelueses së festivalit, mbajti emrin “Vjosa Berisha”. Duket se Festivali është ndjekur me interes edhe nga Dua Lipa, e cila gjithmonë ka treguar mbështetje ndaj ngjarjeve kulturore, artistike por edhe politike të vendit të saj.
Ajo ka shpërndarë në ‘Instagram’ postimin e bashkëshortit të regjisores së ndjerë i cili shkruan: “Faleminderit shumë të gjithëve për mbështetjen dhe fjalët e mira që dhatë këtë javë për Vjosën. Faleminderit shumë gjithë stafit dhe vullnetarëve të ‘Prifest’ për punën e palodhshme. Na keni lehtësuar sadopak dhimbjen e papërshkrushme që po e ndjejmë në mungesë të saj. Ndërkohë Dua ka shtuar krah postimit: “OTA, PRIFEST! Për të!”