Që shteti në Shqipëri luan gjithmonë me “dopjo standard” këtë tashmë e kanë kuptuar edhe gurët, por që edhe drejtësia e re dhe institucionet e sponsorizuara dhe mbështetura nga SHBA-të dhe BE-ja, të kenë kopjuar këtë, kjo gjë nuk do të besohej nga shumë njerëz.
Te Vetting-u në drejtësi, te gjykatat, Prokuroria por dhe tek BKH-ja dhe SPAK-u, qytetarët po shikojnë një dritë shprese që kanë vite që e kanë pritur dhe mendojnë se do të nisë diçka për së mbari në këtë vend.
Por ja që edhe në këto institucione e sidomos në SPAK, ka elementë që gjithsesi gjejnë mënyrën për të favorizuar apo mbështetur të fuqishmit, personat e pasur, apo edhe ata që janë të lidhur me politikën.
Për mos t’i rënë “nga Kina”, sot “Priza.al” po sjell vetëm disa indicie për drejtuesit më të lartë të institucioneve të drejtësisë së re, që janë beruar përpara amerikanëve dhe europianëve, se do të bëjnë drejtësi në këtë vend, me çdo kusht.
“Priza.al” ka mësuar në rrugë konfidenciale se, si gjyqtar por edhe prokurorë të caktuar brenda SPAK-ut, po favorizojnë ose po ndihmojnë me informacione pronarin e “Fondit Besa” dhe të tjerë zyrtarë të këtij institucioni, me qëllim që t’ja hedhin ose t’i shpëtojnë “pa lagur” hetimeve që prej disa muajsh kanë nisur dhe po zhvillohen në lidhje me skemat mashtruese dhe zhvatëse të këtij institucioni mikrokredie.
“Priza.al” për muaj të tërë ka shkruar se si dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë janë mashtruar, shantazhuar dhe zhvatur nga “Fondi Besa”, pasi më parë ishin përfshirë në skema fiktive kreditimi, ku me dijeni dhe dëshirë dhe ku pa dijeni të vet qytetarëve.
Po ashtu “Priza.al” ka mësuar se si nga një prokurore e SPAK-ut është favorizuar dhe ndihmuar me informacion jo vetëm “Fondi Besa” por edhe një bankë private e rëndësishme në vend, e cila është gjerësisht e përfshirë në skemën e mashtrimit dhe të bashkëpunimit në lidhje me kreditë fiktive dhe qytetarët të cilëve u janë vjedhur dhe tjetërsuar të dhënat personale.
Bëhet fjalë për qindra miliona euro të dhëna si “kredi” me letra, por që paratë e dalë nga sportelet e bankave dhe arkave të “Fondit”, nuk dihet se ku kanë përfunduar dhe as nuk dihet se ku është përdorur apo depozituar sasia e parasë kash të dalë nga sistemi.
Por një gjë është e sigurt dhe në ditët në vijim do të nisim edhe me publikimin e emrave konkret. Paratë që kanë dalë nga sistemi bankar dhe ai i mikrofinancave, që me letra u janë bartur për shlyerje qytetarëve të painformuar ose mashtruar, janë përdorur edhe për t’u bërë dhurata si prona, vila dhe pushime luksoze edhe gjyqtarëve dhe prokurorëve, madje edhe një prokuroreje të SPAK.
Këtë herë të shpresojmë me të vërtetë se SPAK do të kërkojë edhe bashkëpunimin e medias, për të hedhur dritë vërtetë mbi një skemë të madhe mashtrimi dhe destabilizimi ekonomik, elementët e të cilës vetëm sa kanë dalë pak në dritë.
/Priza.al/