Anita Likmeta, një sipërmarrëse e re, është kandidatja e parë shqiptare që konkurron për Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian në zgjedhjet parlamentare që zhvillohen me 25 shtator.
Në një postim në rrjetet sociale ajo njoftoi se është kryesuese e listës në 3 rajone: Lombardi, Marche dhe Lazio dhe 5 kolegje me listën Impegno Civico të krijuar nga Bruno Tabacci, me mbështetjen e Ministrit të Jashtëm të Italisë Luigi Di Maio i cili u largua nga “Lëvizja 5 yjet”.
“Falënderoj z.Tabacci për mundësinë për t’i dhënë përfundimisht përfaqësim institucional komunitetit shqiptar në Itali. Është nder dhe privilegj për mua të jem e para italiane, shqiptare nga lindja, kandidate për parlamentin italian! Rroftë Italia & Rroftë Shqipëria!” – shkruan Likmeta.
E lindur në Durrës, Anita u largua drejt Italisë në moshën 11-vjeçare. Ajo ka studiuar për filozofi në universitetin “La Sapienza” në Romë ndërsa vijon të punojë si gazetare në Huffington Post Italia.
Ajo ia ka dalë mbanë të dallohet si inovatore dhe krijuese e disa bizneseve në fushën e “start up”-eve në Itali. Start up Italia publikoi listën me 150 profesionistet më të njohura të Italisë në fusha të ndryshme, mes të cilave ishte edhe shqiptarja.