Një vit pas vrasjes së 19 nxënësve dhe dy mësuesve në Uvalde të Teksasit, Presidenti Joe Biden po bënë thirrje për miratimin e “ligjeve të logjikshme për kontrollin e armëve” që do të kufizonin qasjen tek armët automatike sulmuese. Rivalët politikë të Presidentit Biden vazhdimisht u kanë rezistuar këtyre përpjekjeve dhe një vit pas tragjedisë në Teksas, pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim.
Gjithçka ndryshoi për familjet e viktimave në Uvalde të Teksasit një vit më parë, kur një person i armatosur hyri në shkollën fillore ‘Robb Elementary’ dhe me një armë të fuqishme automatike vrau 19 fëmijë dhe dy mësues.
Gjatë vizitës që bëri në qytetin e vogël të Uvaldes disa ditë pas incidentit, Presidenti Biden tha se ai ndante dhimbjen me prindërit e nxënësve të vrarë dhe se ata i kishin bërë një lutje.
“Në çdo vend dëgjuam të njëjtin mesazh: Bëni diçka. Për hir të Zotit, ju lutemi, bëni diçka. Ne bëmë diçka pas incidentit, por nuk ishte aspak e mjaftueshme”, tha ai.
Presidenti Biden po kërkon mbështetjen e Kongresit për ndalimin e armëve sulmuese automatike dhe karikatorëve me numër të madh fishekësh.
Shumë republikanë janë kundër masave për kontrollin e armëve, duke thënë se ato shkelin Amendamentin e Dytë të Kushtetutës amerikane, i cili mbron të drejtën e armëmbajtjes. Në qershor të vitit 2022, senatori republikan nga Teksasi, Ted Cruz kundërshtoi një projektligj që kishte për qëllim të pakësonte dhunën nga armët.
“Kjo masë do të çarmatoste qytetarët që respektojnë ligjin. Por, kriminelët nuk i respektojnë ligjet. Çarmatosja e të gjitha viktimave do t’ia lehtësonte kriminelëve mundësinë për të shkaktuar kaos”, tha ai.
Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se problemi i vrasjeve masive me armë, nuk mund të zgjidhet pa marrjen e masave nga Kongresi.
“Presidenti ka vazhduar të zbatojë dhjetëra urdhra ekzekutivë për të ndihmuar në uljen e nivelit të dhunës nga armët dhe për të mbajtur armët ushtarake larg duarve të personave të rrezikshëm. Por, ai ka vazhduar të thotë se këto masa nuk janë të mjaftueshme”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.
Në Uvalde dhimbja vazhdon të jetë e pranishme.
“Kjo është një javë e vështirë. Nuk mund ta imagjinojmë dhimbjen që familjet e viktimave janë duke përjetuar një vit pas incidentit dhe ende nuk kemi përgjigje për këtë”, thotë kryetari i Bashkisë në Uvalde, Don McLaughlin.
Të mërkurën, Senati i shtetit të Teksasit shënoi përvjetorin e incidentit.
“Një moment heshtjeje për tragjedinë në Uvalde, për familjet dhe për viktimat. Faleminderit”, tha zëvendës guvernatori i Teksasit, Dan Patrick./VOA