Njëra reklama për pajisje elektronike, tjetra për makina dhe pushime/ Si po u’a bëjnë ‘dhallë’ mendjen shqiptarëve ‘IUTE’ dhe ‘BESA’  

Para dhe pas çdo ndeshje të kampionatit “Euro 2020”, por edhe në mes të tyre, dy reklama thyejnë çdo kod etike dhe të drejte televizive dhe hyjnë piratisht në transmetim në çdo televizion.

Njëra me disa adoleshentë që hedhin “fall” tregon se ku të gjesh para për të kënaqur të dashurën, apo për të blerë telefona dhe pajisjet më të fundit elektronike, pa i “rënë më qafë” atyre të shtëpisë.

Tjetra edhe më e ekzagjeruar, të mëson se ku të gjesh paratë për të blerë autoveturën e ëndrrave, edhe pse ajo mund të kushtojë sa një jetë punë, apo se ku të marrësh para për të kaluar një palë pushime luksi.

Të dyja këto reklama të superpaguara për kohën televizive, u përkasin dy prej institucioneve të mikrofinancave IFJB-ve më të debatuara dhe më të dyshimta në vend. E para është e “IuteCredit”, e akuzuar në të gjithë Ballkanin se pastron paratë e agjencive ruse të spiunazhit dhe të oligarkëve të lidhur me Kremlinin apo edhe mafies ruse.

E dyta i përket “Fondit Besa”, një kompanie që ngjan më shumë me “Suden” se sa me një IFJB, pasi ka kredhur mijëra shqiptarë në borxhe dhe u ka grabitur të dhënat personale, por tani ka dalë edhe të mbledhë paratë me dhunë me mercenar të paguar.

Loja me reklamat

Të bësh reklama televizive për të reklamuar produktet dhe shërbimet që ofron, nuk ka asgjë të keqe, madje është brenda logjikës së biznesit dhe krejtësisht e ligjshme. Po ashtu të blesh edhe kohë televizive në momentet më të ndjekura apo në programet më të shikueshme, po ashtu është një skemë e mirfilltë marketingu, aspak abuzive.

Por si “Fondi Besa” ashtu dhe “IuteCredit” kanë kohë që me ofertat e tyre “bujare”, kanë krijuar idenë se me ara borxh kushdo mund të blejë dhe të sigurojë atë që do, në një kohë që aktiviteti i tyre në marrëdhënie me klientët shqiptarë është gjithë “gropa”.

Këto kompani edhe pse me njëmijë probleme, po orvaten të paraqesin një situatë të tyren, sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe se ka vend për të gjithë që të përfitojnë nga “mirësitë” që këto kompani ofrojnë.

Ndërkohë, edhe pse “Priza.al” ka kohë që u ka rënë “kambanave të alarmit”, duket se me paratë që pastrohen IFJB-të si “Besa” dhe “Iute” duket se kanë blerë heshtjen e institucioneve shtetërore mbikëqyrëse, por për fat të keq edhe të drejtësisë.

Featured image of article: Shqiptarët kanë nevojë për lekë: Në 5-mujorin e parë bankat dhanë 53% më shumë kredi konsumatore

Si po rritet kredia konsumatore

Të dhënat e marra nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, kredia konsumatore po rritet me ritme të shpejta në pjesën e parë të këtij viti. Në muajin maj sektori bankar dha rreth 2.5 miliardë lekë, gati dy herë e gjysmë më shumë krahasuar majin e vitit të kaluar.

Në total, kredia e re për qëllime konsumi për periudhën janar-maj arriti në 11 miliardë lekë, duke u rritur me 43% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është njëkohësisht edhe vlera më e lartë e kredisë konsumatore e disbursuar për periudhën 5-mujore, në pesë vitet e fundit.

Në fund të majit portofoli i kredisë konsumatore arriti vlerën e 53 miliardë lekëve ose rreth 430 milionë euro. Në përgjithësi, rritja e kreditimit në pjesën e parë të këtij viti është mbështetur nga huaja për individët, ku sipas statistikave për 5-mujorin e parë, kredia e re në këtë segment arriti vlerën e pothuajse 29 miliardë lekëve, ose rreth 235 milionë euro.

Krahasuar me vitin e kaluar, kreditimi për individët është rritur me 57% ose më shumë se 10 miliardë lekë.

Një ndër të paktët produkte të kredisë konsumatore që nuk ka shënuar rritje, është paradhënia bankare ose “overdrafti”. Vlera e overdafteve të reja të dhëna gjatë këtij viti, është në nivele të përafërta me 5-mujorin e parë të vitit të kaluar.

Të dhënat e INSTAT-it treguan se, as në 3-mujorin e parë të këtij viti konsumi nuk u shërua plotësisht nga efektet e pandemisë. Konsumi final i popullatës për tre muajt e parë të vitit u rrit me më pak se 1.5%, ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje ishte lehtësisht më e ulët krahasuar me rritjen, me bazë vjetore, të tremujorit të fundit 2020.

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *