Astronomi Carl Sagan dikur ka thënë që njerëzit kanë përbërje yjore. E me sa duket, të paktën pjesërisht kjo është e vërtetë. Për herë të parë, astronomët kanë zbuluar një element që ndodhet në trupat tanë, por edhe në një galaktikë 12 miliardë vite dritë larg.
Elementi në fjalë është fluori, gjendet në kockat apo në dhëmbët. “Pastat e dhëmbëve që përdorim çdo ditë përmbajnë sasi të vogla të këtij elementi”, tha autori i studimit, Maximilien Franco, astrofizikan, pjesë e Universitetit “Hertfordshire” në Mbretërinë e Bashkuar.
Elementet që gjenden kudo në sistemin tonë diellor, në Tokë dhe madje edhe në trupat tanë, kanë si origjinë bërthamën e yjeve, prej nga kanë dalë në formën e shpërthimeve yjore. Por misteri qëndron në faktin se si u krijua fluori brenda këtyre yjeve.
Kërkuesit përdorën teleskopët gjigantë në Atakama, Kili, për të zbuluar fluorin në këtë distancë kaq të largët. Elementi ishte i pranishëm në formën e hidrogjenit të fluorit, në re gazi në galaktikë NGP-190387. Drita e kësaj galaktike ka udhëtuar për 12 miliardë vite dritë për të mbërritur në planetin tonë, kështu që astronomët e kanë parë galaktikën në formën që ajo kishte kur universi ishte vetëm 1,4 miliardë vjeçar.
Yjet që kanë lëshuar fluor me shumë gjasa kanë jetuar shpejt dhe janë shuar të rinj, thanë kërkuesit. Edhe pse kanë një masë tepër të madhe, këto yje mbijetojnë për vetëm pak miliona vite, një periudhë e shkurtër kur krahasohet me 13 miliardë vitet e jetës së universit tonë.
Para këtij zbulimi, fluori ishte pikasur vetëm në Rrugën e Qumështit ose në galaktikë aty pranë. Por ky zbulim tregon se ky element ka ekzistuar që në fazat e hershme të universit tonë.