Nëse jeni gjithmonë vonë dhe nxitoni për të kapur autobusin pothuajse çdo ditë, kemi një lajm të mirë për ju. Studimi i ri tregon se edhe këto pak minuta aktivitet fizik të fuqishëm mund të kontribuojnë në jetëgjatësinë tuaj.
Studimi, i botuar në ‘Nature Medicine’, është hera e parë që janë vlerësuar me saktësi përfitimet shëndetësore të asaj që studiuesit e quajtën “aktiviteti fizik me ndërprerje të fuqishme të jetesës” (VILPA).
Është aktiviteti fizik intensiv që në mënyrë të pandërgjegjshme kryejmë çdo ditë në periudha të shkurtra prej një ose dy minutash, si për shembull kur vrapojmë për të kapur autobusin, kur ndjekim një ritëm të shpejtë ecjeje ndërsa bëjmë punë të ndryshme brenda dhe jashtë shtëpisë ose duke luajtur lojëra me fëmijët, që kërkojnë të shpenzojnë sasi të mëdha energjie.
Studiuesit zbuluan se vetëm tre deri në katër seanca VILPA një minutëshe në ditë u shoqëruan me një ulje deri në 40% të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet dhe kancerin dhe deri në 49% të vdekshmërisë së lidhur me sëmundjet kardiovaskulare. Rreth 25 mijë pjesëmarrësit nuk ushtroheshin në kohën e tyre të lirë. Autori kryesor i studimit Emmanuel Stamatakis, profesor i aktivitetit fizik, stilit të jetesës dhe shëndetit të popullsisë në Qendrën Charles Perkins të Universitetit të Sidneit, tha se:
“Studimi ynë tregon se përfitime të ngjashme me stërvitjet me intervale me intensitet të lartë (HIIT) mund të arrihen duke rritur intensitetin e aktiviteteve të rastësishme të kryera në kontekstin e jetës së përditshme. Sa më shumë, aq më mirë”.