Prej muajit dhjetor, të gjithë shoferët që do të duhet të tërheqin leje drejtimi apo ta rinovojnë atë, do te duhet t’i nënshtrohen një interviste për njohuritë e tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ka bërë me dije se shoferët do të pyeten për çështje të sigurisë në rrugë si kujdesin ndaj fëmijëve e pasagjerëve në kabinë, vëmendjen ndaj pedaluesve e këmbësorëve, sjelljen në trafik e në zonat urbane, pikat e nxehta të rrezikut, orientime mbi masat e reja nga ndryshimet në Kodin Rrugor.
Po ashtu, qytetarit do t’i listohen gjobat që ka marrë gjatë drejtimit të mjetit. Shoferët do të informohen për këtë procedurë të re përmes një broshure që do të publikohet “online”.
Njoftimi:
Çdo vit rreth 100 mijë qytetarë rinovojnë lejedrejtimin! Nisur nga numri gjithnjë në rritje i përdoruesve të rrugës, ndryshimet në aktet ligjore shqiptare e direktivat europiane dhe nevoja për përditësim të drejtuesve të mjeteve rrugore, në rritje, DPSHTRR nga dhjetori 2021 (muaj me fluks të lartë aplikimesh edhe nga ardhja e shumë emigrantëve) do të nisë ofrimin e DETYRUAR të freskimit të njohurive dhe informacioneve më thelbësore mbi sigurinë rrugore, kujdesin ndaj fëmijëve e pasagjerëve në kabinë, vëmendjen ndaj pedaluesve e këmbësorëve, sjelljen në trafik e në zonat urbane, pikat e nxehta të rrezikut, orientime mbi masat e reja nga ndryshimet në Kodin Rrugor dhe Rregulloren e KRR (VKM153), risitë nga Automotorizimi Shqiptar, ARSH, Siguracionet, Policia Rrugore, Ndihma e Parë, bashkitë, importimi i mjeteve rrugore e detyrime/të drejta!
Një broshurë me detyrimin e njohjes dhe nënshkrimin e marrjes dijeni, falas (që do të publikohet edhe online), përgatitur nga profesionistë të fushës, një intervistë e shkurtër verifikuese dhe një apel-kujtesë për historikun e masave/gjobave të marra nga personi, do të jenë RISIA e këtij fundviti për të gjithë aplikantët që do të rinovojnë, dublikojnë apo do t’u rilëshohet lejedrejtimi pranë sporteleve të DPSHTRR!
/Priza.al/