Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes dy vendeve u dakordësua më 12 mars 2021 gjatë vizitës së Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në Itali. Ndërsa më datë 18 mars, marrëveshja u firmos në Tiranë mes Ministres Xhaçka dhe Ambasadorit italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci.
Ambasada Italiane në vendin tonë ka reaguar në lidhje me çështjen e njohjes së patentave shqiptare në vendi fqinj. Me një postim në Twitter, Ambasada bën me dije se marrëveshja mbi patentat ka hyrë në fuqi që më 12 korrik, por thekson se është duke u punuar për të zgjidhur disa probleme teknike.
“Lidhur me Marrëveshjen mbi patentat, e cila ka hyrë në fuqi më 12 korrik, ju informojmë se janë duke u kryer verifikime për të zgjidhur disa probleme teknike për të bërë të mundur që të interesuarit të mund të paraqesin sa më shpejt kërkesë për konvertimin e patentave të tyre”, thuhet në postimin e Ambasadës Italiane në Twitter.
Lidhur me Marrëveshjen mbi patentat, e cila ka hyrë në fuqi më 12 korrik, ju informojmë se janë duke u kryer verifikime për të zgjidhur disa probleme teknike për të bërë të mundur që të interesuarit të mund të paraqisin sa më shpejt kërkesë për konvertimin e patentave të tyre.
— Italy in Albania (@ItalyinALB) July 24, 2021
Marrëveshja për njohjen reciproke të patentave në Itali u konkretizua më 11 mars dhe do të jetë e vlefshme për 5 vite dhe në përfundim të këtij afati palët kanë të drejtë të ulen në diskutime për të vijuar me rinovimin e kësaj marrëveshjeje në mënyrë që të mos ndodhë ndërprerje qoftë edhe e përkohshme në konvertimin e lejeve të drejtimit.
/Priza.al/