Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka ka folur mbi çështjen e financimit të fushatës së PD.
Noka tha se PD e ka dënuar këtë veprim në rezolutën e dhjetorit të vitit të kaluar dhe se nëse Lulzim Basha është përfshirë në qarkullimin e parave të pista në kompani off-shore ai duhet të hetohet dhe të flasë.
“Berisha i ka deklaruar vizitat e ambasadorëve në zyrën e tij. Është tjetër gjë të përflitet në media dhe tjetër gjë të përflitet për nje deklaratë të nënshkruar nga Muzin.
Berishës i ka shkuar një dosje që kishte vetëm shkrimin e gazetës Mother Jones. Kjo ka qenë dosja. Tani flitet për fakte, për 500 mijë dollarë, deklaratën e Nick Muzin dhe për një hetim të FBI-së që ka nxjerrë 2 kompani në Skoci që zotërohen nga rusët dhe kanë paguar. Asnjëherë nuk e keni patur si fakt, ka qarkulluar si thashethem. Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin tonë, hetim kemi kërkuar dhe po kërkojmë. I vetmi ndryshim është se sot do të hetojmë ne.
Në rezolutën e 11 dhjetorit vjet PD ka deklaruar se dënon dhe distancohet nga praktikat informale të mbledhjes së fondeve për partinë. Kjo është deklarata. Nëse Basha ka qarkulluar para të pista në kompani off-shore atëherë do të hetohet dhe duhet të flasë”, tha Noka”.