Shqiptarët po vuajnë këtë vit inflacionin më të lartë në dy dekada, me rritje mesatare çmimesh prej 6.4% përgjatë dymbëdhjetë muajve të fundit. Por Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se, ndonëse më e keqja duket se po kalon, çmimet do të vijojnë të rriten në masë të konsiderueshme edhe gjatë vitit të ardhshëm. Sipas FMN-së, çmimet do të vijojnë të rriten me 5.4% gjatë vitit 2023, ndërsa ritmi i rritjes pritet të ngadalësohet. Normaliteti shpresohet të rikthehet “nga mesi i vitit 2024”.
Cilësuar si “taksa mbi të varfrit”, për shkak se rëndon disproporcionalisht shtresat më të këputura të shoqërisë, kriza aktuale e inflacionit nisi si pasojë e paketave të stërmëdha të ndihmave që vendet e zhvilluara ndanë për ekonomitë e tyre private gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit. Përgjatë të gjithë vitit 2020, qeveritë e vendeve të pasura shpërndanë triliona dollarë për të paguar rrogat për punëtorët që nuk shkonin dot në punë apo për të mbajtur në këmbë bizneset që të mos falimentonin. Ndërsa ndërhyrja e paprecedentë u vlerësua si një ndryshim rrënjësor mentaliteti mbi rolin e shtetit në shoqëri, paketat e ndihmave vlerësohen sot si tepër të larta për të mbrojtur ekonomitë nga inflacioni.
Shqipëria duket se nuk pati paketa ndihmash aq të mëdha sa vendet e zhvilluara kështu që kriza e inflacionit u shkaktua në pjesën më të madhe nga rritja e çmimeve të mallrave të importuara, kryesisht energji dhe ushqime.
Shtresat e varfra, pensionistët apo të punësuarit me paga të ulëta vuajtën disproporcionalisht më shumë për shkak se konsumi i tyre, i përqendruar më shumë te ushqimet bazë, u inflacionia më shumë se sa mesatarja për të gjithë ekonominë. Kështu, ndërsa inflacioni vjetor shënoi kulmin në tetor me 8.3%, inflacioni u grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” ishte 15%.
Inflacioni vitin e ardhshëm parashikohet të jetë me bazë më të gjerë, gjë që do të thotë se rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë do të transferohet gradualisht në rritjen e çmimeve të mallrave të tjerë duke krijuar një “valë të dytë” rritjesh.
Rritja reale e ekonomisë pritet të ngadalësohet në 2.2% në vitin 2023, sipas parashikimit të FMN-së, por financat e qeverisë duket se do të vijojnë të përfitojnë nga rritja e çmimeve. Të ardhurat e qeverisë shqiptare sigurohen në pjesën dërrmuese nga taksat e mbajtura në doganë dhe rrjedhimisht, rritja e çmimeve të mallrave të importuara sjell gjithashtu rritje të të ardhurave të qeverisë. Por inflacioni duket se po sjell edhe një reduktim të konsiderueshëm të borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Me pak fjalë, shqiptarët po paguajnë borxhet e stërmëdha të akumuluara nga qeveria paraardhëse e djathtë dhe ajo e kryeministrit Edi Rama përmes inflacionit.
Borxhi publik ishte i barabartë me 74% të PBB-së në vitin 2021 dhe pritet të bjerë në 68.5% këtë vit dhe 67.9% vitin e ardhshëm. Borxhi publik përfshin vetëm titujt e emetuara si të tilla ndërsa detyrime të tjera buxhetore, të tilla si kontratat koncesionare, nuk përfshihen në këtë tregues pavarësisht se janë gjithashtu borxh.
BIRN