Situata në pikën kufitare në Kapshticë është drejt normalizimit pas radhëve të gjata, për orë të tëra, gjatë ditës së sotme.
Qytetarët shqiptarë ishin të bllokuar në doganë në temperatura të ulëta për shkak edhe të një defekti teknik nga pala greke. Ndërkohë pala e shtetit fqinj ka shtuar numrin e sporteleve, duke bërë të mundur edhe reduktimin e orëve të pritjes.
Në orën 19:55 pala greke ka hapur edhe sportelet shtesë dhe momentalisht po punohet me katër sportele, nga një që ishte duke u punuar në fillim.
Njoftimi:
DVKM Korçë, Kapshticë/Sqarim i Policisë Kufitare.
Pasditen e sotme, në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë ka pasur fluks në rritje të qytetarëve dhe automjeteve që lëviznin në drejtim të shtetit grek.
Për shkak të fluksit në rritje, Policia Kufitare shtoi në maksimum numrin e sporteleve, konkretisht me 5 sportele në dalje dhe 3 në hyrje të Republikës së Shqipërisë.
Njëkohësisht Shefi i Stacionit të Policisë Kapshticë mori kontakt me homologun në palën greke me qëllim që edhe policia kufitare greke të shtonte sportelet.
Pas takimit mes dy policive, pala greke shtoi sportelet dhe menjëherë filloi lëvizja e njëtrajtshme duke eleminuar radhët e krijuara për shkak të fluksit të madh që kishte në orët e pasdites.
Aktualisht në këto momente, situata është normale në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë dhe nuk ka qytetarë e automjete në radhë.