Pas suksesit në Shqipëri dhe treva të tjera shqipfolëse Ben Blushi prezantoi këtë javë romanin e tij më të fundit, “Komploti”, në Tuz të Malit të Zi. Gjatë prezantimit, Nikollë Camaj, deputet shqiptar dhe profesor letërsie, figurë shumë e njohur në Tuz, mbajti një recencë për “Komplotin”
Nga Nikollë Camaj *
Ndihem tejet i privilegjuar që më ofruat këtë rast kaq të veçantë, për t’ju kthyer librit, që ka muaj, të mos them vite, që s’kam kohë për ta shijuar.
Që në fillim dua të them se ishte një kthim i qëlluar, pasi që librat e këtillë, që lexohen me një frymë, të shtojnë oreksin për të vazhduar me leximin.
Librave së pari ua shikojmë numrin e faqeve, dhe shumë shpejt vërejmë nëse këtë e bëjmë për të thënë, o sa shumë paska, apo për të ardhur keq, që po e mbaron shpejt.
Libri më i ri i Ben Blushit, “Komploti”, i njëjtë, së paku si edhe “Jeta në ishull” që pata rastin ta lexoja, bën pjesë në këta të dytët; pra në libra që menjëherë të bëjnë për vete dhe sikur të vjen keq që po i afrohet fundi.
Duke vlerësuar që në fillim, se vepra më del sa letrare, po aq edhe politike, ndoshta edhe nga fakti si i kam të njohura afinitetet e autorit për të dyja, dua të apostrofoj se librin me shumë e lexova me kopertina të mbyllura, për të ndaluar e për të nxjerrë diçka përtej asaj çka të flet vet sintaksa apo semantika e fjalisë, respektivisht, kuptimi i parë i tekstit, për të parë, shijuar dhe përjetuar përtej përshkrimit që autori u bën personazheve,
ngarjeve dhe dukurive, shpesh edhe përmes një dialogu bisedor, të e formës së ligjëratës së drejtë, ku shpesh ndërhynë narratori me; atëherë ai i tha…. dy pika, dhe vazhdon Librin e pata në dorë vetëm 24 orë dhe, edhe sikur të kisha pasur krejt kohën për të, zor se kish mundur të bëj një vështrim siç e meriton, por si një lexues i pasionuar shënova disa nga përshtypjet e mia, gjithnjë sipas asaj të Cherchilit se referati duhet të jetë si fustani i një goce: mjaft i gjatë, sa për të mbuluar subjektin, por i shkurtër për të shtuar interesimin.
Një qasje të tillë skolastike, shkollore, lektyrore, ma imponon edhe fakti se si mësues letërsie gjithnjë doja që nxënësve mos tua them krejt atë që ka vepra brenda, por vetëm t’u zbuloj elemente tërheqëse të veprës.
Unë gjithnjë kam parasysh se promovimi i një libri nuk e ka rolin e debatit shkencor, apo të kritikës së mirëfilltë, por të prezantimit, me qëllim të rritjes së interesimit dhe kërshërisë, për ta gjetur dhe shijuar atë.
Prandaj unë do të bëj një përpjekje ndërmjetësimi për lexuesin potencial, i bindur se ata që do ta përfillin rekomandimin tim, nuk do t’i zhgënjej.
Gjithësesi mbetem me shpresë se nuk do t’i zhgënjej as pritshmëritë e autorit dhe të auditorit, gjithnjë i bindur se do të ma falë mysafiri ynë i nderuar, që nga unë nuk do të dëgjojë qasje empirike dhe fjalë të mëdha, siç besoj se i ka dëgjuar në promovimet e shumta që i janë bërë këtij libri.
Pra, sonte do ju flas në mënyrën time, për librin, për të cilin, marr guximin të them së është një aluzion i fortë për atë çfarë mund të na presë, apo për atë çfarë ka droje autori se mund të na ndodhë.
Sikur autori na tërheq vërejtjen, se çdo gjë që i ka ndodhur dikujt, pritet të na ndodhë edhe ne. Apo, sipas asaj të Kuelos, se një gjë që ka ndodhur një herë, mund edhe të mos përsëritet, por një gjë që ndodh ty herë, prite përsëri.
E ajo që po ndodh në Evropë, sidomos kur janë në pyetje migrimet, dyndjet dhe ndërrimi i strukturës etnike, në çka as Shqipëria nuk mund të jetë imune, sikur nuk e lë indiferent autorin. Kjo, anise e pritshme, e shqetëson autorin, dhe këtë shqetësim, në formën më të bukur artistike, e përcjell edhe te lexuesi, përmes komplotit që e sajon në veprën politiko- fiktive “Komploti”, por të cilit i jep një fund më optimist; shpresë se lufta e tretë megjithatë nuk do të ndodh, shpresë se SHBA e Rusia nuk do të “ndeshen” në Shqipëri.
Edhe pse është fjala për 20 vite para-kallëzim, meqenëse ngjarja vendoset në vitin 2044, nuk ia teproj nëse autorin e cilësoj si një Nostradamus të kohëve tona. Disa nga parakllëzimet vetëm po ndodhin; a nuk u bë marrëveshja për Shëngjinin, si portë për emigrantët; a nuk deklaroi Rama, para pak ditësh se nëse Kosova do të përfshihej në një konflikt të ri, me të do jetë Shqipëria; pse a s’po ndodh ndryshimi i strukturës etnike në troje shqiptare, të shikojmë vetëm Malësinë; Ne ikim, të tjerët vijnë! E me ta edhe kultura e re; edhe mundësia që ata ta qeverisin vendin tonë!
Kështu, miti mbi shtete apo vendbanimet e pastra etnike sikur po thyhet!
Nuk ka shumë autorë që marrin guximin që ngjarjet e romanit t’i vendosin në një të ardhme jo fort të largët, nëpër të cilën kalojnë personazhe të së tashmes e të së kaluarës, personazhe që i njeh historia, por edhe sish që i krijon vet autori, në laboratorin e vet imagjinues.
Ti shndërrosh personazhet e njohur nga e kaluara jonë në persona të gjallë të cilët mund të ndikojnë dhe të vendosin për fatet tona, duke bërë një lidhje përmes retrospektivës dhe perspektivës, kërkon impenjim, përkushtim e gjithsesi dhe zotësi.
Derisa po bluaja në kokën time galerinë e personazheve të kësaj vepre, se si më erdhi ndërmend “Galeria e të vdekurve” e Jusuf Buxhovit, ku në një dhomë bashkëjetojnë dhe bashkëbisedojnë portretet e figurave të së kaluarës sonë, të varura në mur, njëjtë si edhe figurat në filmin modern “Rojtari i muzeut”.
Kur veç po përmendi vepra të tjera që mi nxjerr nga harresa leximi i Komplotit, kurse lidhur me retrospektivën më së të qëlluar të Blushit, përmes të së cilës zbërthen dhe prezanton personazhet, më duhet të përmend ngajshmërinë me romanin e Julia Navaro “Më thuaj kush jam”.
Derisa po provoja të bëj lidhjet midis momentit aktual në vepër, pra 2044, të personazheve, 3 çifutëve (Leonid Trocki Lavi Elltoni dhe Simon Shuteri, me biografitë e tyre), që po qajnë hallet e hebraizmit dhe të botës, derisa po diskutonin në takimet e tyre të rregullta në një verandë, në plazhin e Durrësit, dhe afganin Mohamed Duranin, me prejardhjen e tij fisnike, dhe natyrën rebele që sjell me vete, të një “kali hamshuer afgan, të kryqëzuar me një pelë shqiptare”, si një kampion i banorëve të rinj të Shqipërisë, në kohën kur ne ikim e nuk shtohemi, e ata vijnë, natyrisht se nuk mund të shmangësh një të menduari këmbëngulës për të bërë paralele me shkrimet e tjera.
Por në fakt se gjen dot. Se gjen sepse autori i kësaj vepre ka një dilemë, në fakt më shumë sosh, që tenton t’i zgjedhë në mënyrën e vet, por në fakt, derisa e lexon, lë të hapur çdo mundësi. Disi, si në filmat e Agata Kristit. Pra, përmes personazheve autori në fakt hap dilema e debate të
shumta edhe për auditorin-lexuesin, si dimensionin e tretë të një vepre letrare. Si për territoret veriore, për shaminë, për emrin Kosovë etj.
Autori është i vetëdijshëm se as ne nuk jemi tjetër lloj dhe se dhimbjet e tranzicionit duhet t’i përjetojmë edhe ne. Një kryebashkiak dhe kryeministër afgan janë realitet në Evropë. Eutanazia dhe çiftet gej, po ashtu. Megjithatë, me botën shqiptare sikur kjo nuk shkon.
Diku, sikur është gabuar, prandaj në vepër shpesh hasim në kërkimin e këtij gabimi, apo gabimeve fatale, do t’i quaja.
Shprehja, “po të veprohej ndryshe”, na serviret disa herë. – Po të dëgjonte Hitleri ambasadorin e madh të një vendi të vogël, bota dhe fati i njerëzimit do të ishin krejt ndryshe, por ai dëgjoi ambasadorin e vogel të një vendi të madh dhe e pësoi… Po të dëgjohej propozimi që Izraeli të mos ketë shtet, apo propozimi që Izraeli të vendosej ku është sot Shqipëria, bota përsëri do të ishte krejt ndryshe; po të vriste e bija e doktor Muradit dhunuesin e vet Leon Trockin, përsëri bota do të ishte ndryshe dhe do të kishte më pak vuajtje: po të mos vendosnin kryeministë një plak 82 vjeç Raul Fico, nipin e ambasadorit të madh Rauf Ficos dhe sikur ai të mos emëronte ministër të mbrojtjes afganin tashmë kryebashkiak të Shëngjinit, kanuistin e pilotin, që ballafaqohet me migun serb mbi qiellin e Kosovës, zor se shqiptarët do bëheshin gati për të kthyer trojet, përsëri të pushtuara nga Srbia, të trimëruar nga fakti se Rusia veç ka pushtua Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, prandaj ndryshimi i kufijve nuk është problem. Po të mos komplotonin çifutët zor se shqiptarët do të mendonin për të marrë Malin e Zi. Pra, përmes kësaj lidhjeje shkak pasojë, sikur kërkon arsyet dhe arsyetimet për ato që ndodhin, apo që mund të ndodhin.
Këtu i kërkoj edhe arsyet që Raul Ficon, në vjeshtën e jetës së vet pranon pozitën e kryeministrit, pasi që atij më lehtë mund t’ia imponojnë bashkëpunëtorët, dhe përmes të së cilit mund të realizohen më lehtë komplotet. A nuk u përngjet kjo me situatat e njohura!?
Njohja e mirë që ka autori për politikën dhe futja e krejt atyre të dhënave që i posedon, apo që i ka nxjerrë, në laboratorin e vet krijues na bien para situatave me shumë zgjedhje, me shumë dalje, dhe në fund na befason me zgjidhjen që na jep; atë më pak të pritshmen e, në bazë të imputeve, më pak të mundshmen, por, në bazë të përvojave, më relen.
Këtë e kam parasysh edhe derisa lexoj pjesën për të bijën e doktor Muradit dhe fatin e të shoqit të saj që kishte humbur pa shenj, ndërkohë që i biri i saj memec, kopili i Leon Trockit ishte martuar dhe kishin fituar një djalë, Hasan Dostin, që në treshen e çifutëve njihet si Leonid Trocki.
Kush nga lexuesit mund të priste se çifuti Leoind Trocki, që dëshiron një komunizëm të ri, të na ishte një nip jolegjitim i komunistit Trocki dhe një komplitist për të mos lejuar afganët për të sulmuar Serbinë.
Por as personazhet dhe as numrat (si psh. 44) nuk janë të rastësishëm për Blushin mirë të informuar, njëjtë si as edhe qytetet, Shëngjini, Kavaja e Elbasani. Idetë që sjellën vërdallë; bota pa Izraelin, bota pa komunizmin, Shqipëria pa komunizmin, Shqipëria-Izrael, komunizmi si rend i ri shoqëror, Kosova përsëri e robëruar, Mali i Zi i okupuar, grusht-shteti në Shqipëri; të gjitha janë këto çështje që përzihen në laboratorin krijues të Ben Blushit, por që në fund dalin disi të qarta krejt rrethanat e mundshme dhe arsyet pse diçka kishte apo nuk kishte ndodhur ashtu, apo kështu.
Po ashtu edhe personazhet; a nuk janë tipikë për botën shqiptare, të cilët në krejt situatat që provojnë t’i prodhojnë, shikojnë vetëm interesin e vet, shikojnë sa mund të përfitojnë. “Çka kam unë, nëse hyjnë në luftë Rusia e Amerikë” pyet në një rast kryeministri! Apo votimi për një të vdekur, a nuk është një asociacion për faktin se të vdekurit votojnë.
Dhe në fund, autori përdor një gjuhë lehtësisht të lexueshme e të kuptueshme, gjuhë e cila pa kurrfarë kompleksi prezanton të folmen e njerëzve të llojit të personazheve, në vepër e në jetën e përditshme. Një gjuhë që na sjell përshkrime artistikisht tejet të qëlluara, të situatave, ngjarjeve, e sidomos të personazheve të cilët i ka skalitur, si nga aspekti psikologjik, e jo rralle edhe fizik, duke na sjellë para situatave të cilat, me krejt enigmën që mbajnë me vete, çuditërisht të duken të njohura.
Format shprehëse, artistikisht të qëlluar, përshkrimet e krahasimet, edhe kur bëhet fjalë për gjëra të rëndomta, edhe për ato politike, të bëjnë
shpesh të ndalosh e të thuash; sa bukur është thënë, sa shprehje e guximshme, qoftë në kontekstin artistik, qoftë në atë real-politk.
“Shqipëria tokë dielli e injorance… një dritë e ftohtë…
Politikanët shpenzojnë më shumë energji për të gjetur fajtorin se sa një zgjidhje…
“Nëse çifutët nuk do të ishin fiksuar pas sionizmit, nuk do të kishim holokaust” etj.
Faktin se veprën ua kushton atyre që do të kontribuojnë që kjo që shkruan në libër të mos ndodhë kurrë, flet më së miri për shqetësimin që ka autori. Sado që është i gërshetuar me personazhe e ngjarje reale, vepra mbetet një fikcion i përkryer mbi atë që do të duhej të na brengosë të gjithëve.
Ose të mos na brengos fare, duke e arsyetuar se edhe ne jemi njerëz të të njëjtit lloj si të tjerët, dhe përderisa gëzohemi që një shqiptar ka arritur diçka diku në botë, nuk kemi të drejtë të hidhërohemi tepër, nëse dikush i huaj bën një arritje të tillë në Shqipëri.
Sidoqoftë i bashkëngjitëm dedikimit që bën autori.
“Atyre që mund t’i pengojnë ngjarjet e këtij romani të ndodhin vërtetë”.
Të tjerat ua lë panelit dhe juve që do ta lexoni, por aman, lexojeni veprën! Faleminderit,
(* Në promovimin e librit Komploti në Tuz më 22. 02. 2024 Nikollë Camaj)