Noterët, dëmshpërblim klientëve në rast dëmtimi/ Sipas urdhërit, vlera e sigurimit do të jetë sipas volumit të punës

Prej vitesh në Shqipëri nuk kanë qenë të pakta rastet kur nga noterë të ndryshëm janë kryer abuzime dhe falsifikime në dëm të palëve të treta, apo klientëve të tyre.

Por si në shumë raste, noterët duke qenë vet brenda sistemit të drejtësisë apo me lidhje të forta, kanë qenë të privilegjuar dhe shpesh ja kanë hedhur “pa u lagur”.

Por vetëm tani në kuadër të reformimit të sistemit të drejtësisë në vend, edhe profesioni i noterit jo vetëm që do të kalojë në procesin e Vetting-ut, por noterët do të detyrohen që të paguajnë siguracion për të dëmshpërblyer në rast abuzimi apo gabimi cilin do klient të dëmtuar nga puna e tyre.

“Priza.al” në disa shkrime dhe investigime ka bërë publik emrat e disa notereve të cilat edhe pse emri u ka dalë në shumë abuzime ndaj klientëve, ato përsëri jo vetëm që nuk janë penalizuar, por vijojnë të pa shqetësuara të ushtrojnë profesionin e tyre.

Urdhëri për sigurimin

Nga sot ka hyrë në fuqi urdhri i Ministrisë të Drejtësisë për sigurimin e noterit, që përcakton shumën e mbulimit me dëmshpërblim për dëmet që mund t’u shkaktojë klientëve, apo palëve të treta gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas këtij urdhri: “Përllogaritja e vlerës përkatëse të primit të sigurimit për çdo noter, do të kryhet në bazë të mesatares së vëllimit të punës së veprimtarisë noteriale për 3 vitet e fundit, e përllogaritur nga numrat e koleksionit”.

Urdhri përcakton se, çdo noter është i detyruar që jo më pak se 15 ditë përpara lidhjes së kontratës së sigurimit, të përllogaritë dhe të njoftojë Dhomën Kombëtare të Noterisë dhe Ministrinë e Drejtësisë, për mesataren e numrave të koleksionit, duke u bazuar në të dhënat që administrohen nga sistemi elektronik dhe nga regjistrat noterialë që mbahen në çdo zyrë noteriale.

Ligji “Për Noterinë” miratuar në 2018 nënvizon se noteri, përpara fillimit të ushtrimit të funksionit, lidh kontratë sigurimi të përgjegjësisë profesionale me një kompani sigurimi vendase ose të huaj që vepron në Shqipëri. Dhoma kontrakton, përzgjedh dhe lidh kontratën kolektive të sigurimit të noterëve, në të cilën janë palë Dhoma dhe kompania përkatëse e sigurimit.

Në rast se Asambleja e Përgjithshme e Dhomës Kombëtare të Noterisë vendos që sigurimi kolektiv të jetë i detyrueshëm për të gjithë noterët ose, në rast se Dhoma Kombëtare e Noterisë kontrakton, përzgjedh dhe lidh një kontratë kolektive sigurimi për një grup noterësh.

Vlera përkatëse e sigurimit kolektiv paguhet nga secili noter në llogari të Dhomës, e cila më pas derdh detyrimin përkatës në kompaninë e sigurimit, sipas marrëveshjes së nënshkruar. Polica e sigurimit individual ose kolektiv duhet të mbulojë edhe dëmet e shkaktuara nga të punësuarit e noterit, përfshirë këtu zëvendësnoterin.

Sa do të jetë shuma e sigurimit

Ministria sqaron në pikën 1 të urdhrit se Shuma minimale e mbulimit me sigurim për një ngjarje të siguruar dhe shuma minimale e tërësisë së dëmshpërblimeve nga sigurimi, që janë të pagueshme gjatë vitit të sigurimit për një apo më shumë ngjarje, përcaktohet çdo vit, në bazë të mesatares së vëllimit të punës së veprimtarisë noteriale për 3 (tri) vitet e fundit, për çdo noter, e përllogaritur nga numrat e koleksionit. Tre janë kategorizimet e bëra nga ministria për këtë aspekt.

a) Nga 1 deri në 1000 numra koleksioni, shuma minimale e mbulimit me sigurim për një ngjarje të siguruar është 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë dhe shuma minimale e tërësisë së dëmshpërblimeve nga sigurimi, që janë të pagueshme gjatë vitit të sigurimit për një apo më shumë ngjarje është 18 000 000 (tetëmbëdhjetë milionë) lekë;

b) Nga 1001 deri në 3000 numra koleksioni, shuma minimale e mbulimit me sigurim për një ngjarje të siguruar është 18 000 000( tetëmbëdhjetë milionë) lekë dhe shuma minimale e tërësisë së dëmshpërblimeve nga sigurimi, që janë të pagueshme gjatë vitit të sigurimit për një apo më shumë ngjarje është 54 000 000 (pesëdhjetë e katër milionë) lekë;

c) Nga 3001 deri në 5000 numra koleksioni, shuma minimale e mbulimit me sigurim për një ngjarje të siguruar është 25 000 000 lekë (njëzet e pesë milionë) dhe shuma minimale e tërësisë së dëmshpërblimeve nga sigurimi, që janë të pagueshme gjatë vitit të sigurimit për një apo më shumë ngjarje është 75 000 000 (shtatëdhjetë e pesë milionë) lekë;

ç) Mbi 5001 numra koleksioni, shuma minimale e mbulimit me sigurim për një ngjarje të siguruar është 35 000 000 (tridhjetë e pesë milionë) lekë dhe shuma minimale e tërësisë së dëmshpërblimeve nga sigurimi, që janë të pagueshme gjatë vitit të sigurimit për një apo më shumë ngjarje është 105 000 000 (njëqind e pesë milionë lekë).

I njëjti urdhër nënvizon se rast se Asambleja e Përgjithshme e Dhomës Kombëtare të Noterisë vendos që sigurimi kolektiv të jetë i detyrueshëm për të gjithë noterët ose, në rast se Dhoma Kombëtare e Noterisë kontrakton, përzgjedh dhe lidh një kontratë kolektive sigurimi për një grup noterësh, përllogaritja e vlerës përkatëse të primit të sigurimit për çdo noter.

“Çdo noter është i detyruar që jo më pak se15 ditë përpara lidhjes së kontratës së sigurimit të përllogaritë dhe të njoftojë Dhomën Kombëtare të Noterisë dhe Ministrinë e Drejtësisë për mesataren e numrave të koleksionit, duke u bazuar në të dhënat që administrohen nga sistemi elektronik dhe nga regjistrat noterialë që mbahen në çdo zyrë noteriale”,- përcakton urdhri.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *