Një ngjarje e rëndë ka ndodhur para dy ditësh në Gramsh ku është dhunuar barbarisht mjeku, Vladimir Shuli.
Burime për Priza.al bëjnë me dije se Shuli është dhunuar nga 2 persona të paidentifikuar në ambientet e shtëpisë së tij ku ka marrë goditje të shumta në kokë, ndërkohë që vuante edhe nga hipertensioni. Sakaq, nga të njëtat burime mësohet se familjarët nuk e dinin nga kush dhe pse është dhunuar.
Kjo ngjarje ngren dyshimet nëse mjeku është rrahur për arsye detyre apo për shkak të ndonjë konfikti të mëparshëm.
60-vjeçari është gjetur në gjendje kome nga të afërmit brenda banesës dhe është dërguar menjëherë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Njoftimi i policisë:
Mbrëmjen e datës 30 nëntor, është dërguar nga familjarët, në spitalin e Gramshit, për ndihmë mjekësore, pasi ishte dëmtuar në fytyrë, shtetasi V. Sh., 60 vjeç, me detyrë mjek.
Nga veprimet paraprake hetimore, u konstatua se ky shtetas vuante nga probleme shëndetësore (hipertension).
Në vijim të hetimeve të thelluara për këtë rast, Policia ka identifikuar 2 autorët e dyshuar dhe ka referuar materialet në Prokurori, për ta, pasi dyshohet se kanë goditur shtetasin V. Sh.
Për të ruajtur konfidencialitetin e hetimeve që po kryhen në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, nuk bëhen të ditura të dhëna të tjera.