Nata e parë në një rrugë të Torinos teksa kruspullosej nga frika, solli përpara Valbonës një të njohur, të cilit i komunikoi një mesazh për motrat e saj. Atë natë, Valbona u kthye në shtëpinë e tutorit të saj e lumtur, me shpresë se makthi që rrëfeu në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E diela shqiptare” në Tv Klan do të mbaronte.
Ditën e dytë, ajo ngulmoi sërish të dilte në rrugë edhe pse nuk kishte sjellë asnjë prodhim për tutorin e saj. por ndërkohë kishte marrë një njoftim se motrat e saj ishin nisur nga Brescia drejt saj. Ora e caktuar kaloi, akrepat vazhdonin tik tak-un e tyre dhe ajo vazhdonte të priste në trotuar, derisa në këmbët e saj ndaluan dy njerëz.
Valbona: Në orën 2 të natës, kalojnë dy karabinierë në këmbë, jo me makinë, vijnë dhe ndalojnë përpara meje. Në atë moment, siç isha ulur, ngrihem se më thërrasin “zonjushë, mund të ngrihesh në këmbë?” U ngrita menjëherë në këmbë dhe isha shumë e lumtur atë moment se thashë motrat nuk erdhën dhe duhet patjetër të iki me këta.
Më thanë “si e ke emrin?”, i thashë “Valbona, dua t’ju them diçka para se të vazhdojmë, duhet të vij me ju sonte sepse motrat e mia duhet të vinin të më merrnin në orën 12, por nuk kanë ardhur, nuk e di pse, ka ndodhur diçka e paparashikuar, unë duhet të vij me ju sepse nuk kam më rast tjetër të vij, të shpëtoj”.
Më thanë “patjetër ti do të vish por ne sonte kemi diçka për të të thënë ty, që atje mbrapa, te ajo kthesa e rrugës janë tre persona që po të presin”. Ishin dy motrat e mia dhe një prift bashkë me to që i shoqëronte. Ngre dorën njëri prej tyre dhe thotë “hajdeni vajza”. Nuk arrija ta besoja, kthej kokën dhe shoh dy motrat e mia, thosha “kjo është e pamundur që po më ndodh, nuk e besoja dot”. Karabinierët na thanë” tani duhet të shkojmë urgjentisht, duhet të ikim prej këtu”. Afrohemi te makina dhe ikim, takohemi edhe me priftin.
Ardit Gjebrea: Po ai?
Valbona: Atë nuk e pashë më atë natë./tvklan.al