Familja e 3-vjeçarit që mbeti pa jetë në ambientet e kopshtit që ai frekuentonte në qytetin e Fierit kërkojnë drejtësi dhe zbardhje të çështjes. Gjyshi i 3-vjeçarit, u shpreh se kanë dyshime se nipi mund të jetë rrëzuar nga shkallët.
Teksa fliste jashtë ambienteve të Prokurorisë së Fierit, ku së bashku me të afërmit e tjerë kishin dalë për të kërkuar drejtësi për nipin e vogël, gjyshi u shpreh se nuk e besojnë variantin e dhënë nga pronarët e kopshtit dhe as nga grupi hetimor deri më tani, ndërsa ka kërkuar hetime të mëtejshme dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Kemi dyshimet tona se djali është rrëzuar nga shkallët. Nuk mund të jetë mbytur në një lartësi aq të ulët. Nuk e besojmë versionin e thënë, ndaj kërkojmë thellim të hetimeve dhe zbardhje të ngjarjes. Duam të dimë me saktësi se çfarë ka ndodhur me nipin tim.”, u shpreh gjyshi i 3-vjeçarit.
/Priza.al/