Një shtetas është sjellë në mënyrë të çuditshme në xhaminë pranë zonës së “Pazarit të Ri”.
Ky i fundit ka rrëfyer për policinë se nuk i është lejuar të falej, dhe ky gjest e ka mërzitur shumë të denoncuarin.
Por të kundërtën e dëshmisë, tregon shtetësia me iniciale K.C, e cila punon si pastruese në objektin e kultit.
“Ky shtetas vjen shpesh në xhami, nuk e njoh përveçse si fytyrë dhe hyri në vendin e faljes në sallë. Kaloi edhe vendin e lutjes. E sqarova se nuk mund të kalonte më andej mbasi aty ishte vendi ku falej imami”, tregon ajo.
Shtetasi me iniciale A.M, ka tentuar që ta mbyllë edhe derën e xhamisë.
“I thashë mos e mbyll derën pasi do ta shikojnë njerëzit që xhamia është e mbyllur dhe kjo nuk duhet të jetë kështu”, ka vijuar rrëfimin gruaja.
Por ky person në këtë moment është nxehur dhe ka reaguar duke e fyer tregojnë burimet policore.
“Më tha hape këtë xhami, pasi dua të hyj në sallë”, thotë K.C.
Mbasi, gruaja ka treguar rezistencë, i nevrikosur besimtari ka goditur xhamin me bërryl dhe ky veprim gjendet edhe i regjistruar edhe në kamerat e objektit të kultit.
Policia bën me dije se besimtari ka arritur të thyejë një xham me përmasat 50 me 50.
Ndër të tjera, shtetasi A.M tregon se hyri në xhami për t’u falur si përherë, dhe teksa ishte ftohtë ai u përpoq që të falej në brendësi, aty ku sanitarja nuk e kishte lënë të qetë. Kjo sipas tij ka qenë edhe arsyeja se pse ai ishte revoltuar.