Të tjera detaje kanë dalë nga plagosja e Gjergj Ndërshtiqajt në Shkodër dhe kunatit të tij Gjon Nika mbrëmjen e kaluar. Dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Shkodrës, ndërsa secili kanë marrë nga dy plumba në trup.
Të dëmtuarit janë qëlluar me 106 plumba, mbi katër karikatorë automatiku por duke shpëtuar mrekullisht. Pas ngjarjes së rëndë tre automatikë kallashnikov janë gjetur në automjetin e djegur të autorëve ndërsa janë sekuestruar nga policia si provë materiale. Dy prej automatikëve që janë përdorur u gjetën në sedilen e përparme ndërsa arma e tretë automatik është gjetur në bagazh dhe mendohet se ishte rezervë.
Deshmia
Të dëmtuarit janë shprehur pasi janë marrë në pyetje se nuk kanë arritur që të shohin se kush ishin autorët.
“Sapo zbritëm nga makina dëgjuam të shtëna armësh. Nuk kemi arritur që të shohim se kush ishin ata që na qëlluan me armë. Nuk kemi konflikte me persona të tjerë dhe nuk e dimë arsyen përse na qëlluan. Në momentin kur nisën të shtënat kemi lëvizur me shpejtësi duke u munduar të shpëtojmë. Derisa janë larguar qëndruam pas makinës”.
Sipas burimeve policore objektivi ka qenë shtetasi Gjon Nika. Ndërkohë në Shkodër menjëherë pas kësaj ngjarje të rëndë mbërriti drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Muhamet Rrumbullaku duke qenë në krye të hetimeve. Është ende e paqartë se cili është motivi i kësaj ngjarje të rëndë. Policia ka shoqëruar disa persona por pa arritur ende tek autorët e dyshuar.