Analisti, Baton Haxhiu ka komentuar protestën e organizuar nga kreu i PD, Sali Berisha.
Batoni tha se pavarësisht se nuk e pëlqen Berishën si politikan, sot nuk ka çfarë t’i thotë më dhe i jep dorën, pasi është vështirë që një njeri të organizojë tubime të tilla.
“Një fjalë e kam. Ia jap dorën Berishës. Ia jap dorën për organizimin. Nuk e prisja këtë pjesëmarrje. Berisha ka kohë që nuk më pëlqen si politikan, ka kohë që është person i gabuar, por sot ia jap dorën. Sot vështirë që dikush të organizojë tubime të tilla. Domethënë, njeriu i gabuar, i cili para vetes ka non-gratën, fjalimet e ambasadës dhe Departamentit të Shtetit, gjithë njerëzit përreth, një pjesë të analistëve, një pjesë të mediave dhe të bëjë një gjë të tillë.
S’kam çfarë i them më! Ka shumë shpjegime. Unë po flas për tubimin, kam analizën time. Por sot njeriut që politikisht nuk e dua, e ka gjithë gabim, ia jap dorën për atë që ka bërë sot.Në korrik, në temperaturë kaq të lartë, gati të pashpresë se mund të ketë një tubim të tillë. Askush nuk ka besuar, ke pas 2-3 paralajmërime se do të bëhet një tubim. Nuk ke pasur një promo, spot etj., disa parametra që tregonin se nuk do të ishte e tillë. S’di çfarë them, mendoj se as vetë Rama dhe stafi i tij nuk e kanë menduar se do të jetë diçka e tillë”, tha ai.