Ndonëse mori rreth 5600 vota, moderatorja Ori Nebiaj nuk u zgjodh deputete përmes thyerjes së herësit dhe demokratët nxorën 15 deputetë nga kryeqyteti. Moderatorja Ori Nebiaj ishte e 18-ta në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së, në Tiranë. Pavarësisht se nuk arriti të marrë një mandat deputeti në zgjedhjet e 25 prillit, ajo arriti të grumbullojë më shumë vota preferenciale se kandidatët e listuar në listën e sigurtë. Për këtë, ka nisur një peticion online për përfaqësimin e Ori Nebiajt në Parlament. Në këtë faqe kërkohet që të hyjë në Kuvend në vend të Vangjel Dules, i cili mori vetëm 847 vota preferenciale.
“Shqiptarët meritojnë të përfaqësohen prej personaliteve me integritet, dhe që përcjellin zërin e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.
Padrejtësia e përfshirjes në parlament të antishqiptarit Dule, duke lënë jashtë gocën e Tiranës dhe Shqipërisë është në dëmin tonë.
Për këtë arsye, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, duhet me patjetër të marr masat e nevojshme në bashkëpunim me Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta.
Nëqoftëse nuk do arrihet të ndalet dekretimi i Vangjel Dules, atëherë ky peticion do i drejtohet Kuvendit të ardhshëm të Shqipërisë deri në një referendum mbarëkombëtar për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, thuhet në peticion.